Hoxhaj e Tahiri: Do të themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatën Komerciale

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me kandidatin për deputet, Abelard Tahiri kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbjen e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Hoxhaj duke potencuar se sundimi i ligjit është kusht elementar për funksionimin e shtetit dhe demokracisë ka thënë se është e rrezikshme se si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë duke e linçuar Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“PDK-ja është e vetmja parti që pa zhurmë e respektoi vendimin që të largonte nga lista individët që kishin problem me ligjin. Sepse, PDK-ja e respekton KQZ-në dhe institucionet e tjera të pavarura. Dhe, kështu ka vepruar gjithmonë. Sepse, PDK-ja është parti shtetformuese.

dhe përfaqëson sakrificën për ta krijuar këtë shtet e këto institucione. Prandaj, PDK-ja ia di vlerën këtij shteti dhe i respekton institucionet dhe ligjet e këtij shteti. Për këtë arsye, në këto zgjedhje përballë janë vetëm PDK-ja dhe VV-ja. Në të vërtetë, në këto zgjedhje përballë janë vetëm respektimi i ligjit, në një anë; dhe kërcënimi ndaj institucioneve që e zbatojnë ligjin, në anën tjetër.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar se PDK-ja, historia e Kosovës dhe lufta e UÇK-së është sulmuar me aktakuzën ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, por PDK-ja asnjëherë nuk i ka nxjerrë njerëzit në rrugë që ta sulmojnë policinë dhe institucionet e vendit.

“As Thaçi, as Veseli dhe as unë asnjëherë nuk kemi bërë thirrje që të mos bashkëpunohet me drejtësinë, veç pse ne po goditemi. Sepse, për Thaçin, Veselin, mua personalisht dhe PDK-në, fati i Kosovës është me i rëndësishëm se fati ynë personal, ose interesi ynë partiak.”, ka thënë ai.

Ndërsa, Abelard Tahiri ka thënë se degradimi i sundimit të ligjit, i nisur nga Qeveria Kurti me shkeljen e Kushtetutës së Kosovës, i pasuar me shuarjen e Task Forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës nga Qeveria Hoti dhe me vjedhjen e mbi 2 milion eurove nga thesarin e shtetit, duhet të marrë fund.

“Pra, të dyja qeveritë e mashtrimit të madh, jo vetëm që e kanë ndalë punën e mirë, por e kanë degraduar komplet krejt konceptin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Kjo përvojë e hidhur dhe e mbrapshtë që e pamë nga Qeveria Kurti e Hoti, duhet të marrë fund. Duhet të frenohet kriminaliteti dhe pasiguria totale që ka përfshirë rrugët dhe qytetet tona. Duhet të luftohet seriozisht krimi e korrupsioni e jo të shantazhohen organet e drejtësisë. Duhet të vazhdojnë reformat që na ofrojnë me integrimin.”, ka thënë ai.

Për ta frenuar këtë degradim Tahiri ka prezantuar planin për Rimëkëmbjen e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, i cili bazohet në katër shtylla: 1. Lufta Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; 2. Reforma strukturore dhe integriteti i Organeve të Drejtësisë; 3. Thellimi i reformave për koordinim dhe përmirësim të performancës në rend dhe ligj dhe 4. Qasja në drejtësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme