Ratifikimi i Demarkacionit dhe liberalizimi i vizave po cilësohen si dy të arriturat e rëndësishme të Kosovës në 10-vjetorin e Pavarësisë. Kështu u tha sot në konferencën e mbajtur të Partisë Demokratike të Kosovës.
Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së tha kjo parti ka kërkuar gjithëherë konsensus sa i përket marrëveshjes për Demarkacionin pasi që në këtë mënyrë qytetarët lëvizin lirshëm. Koalicioni qeverisës sipas tij i ka votat për ta kaluar Demarkacionit në momentin që do të procedohet në Kuvend.
Hoxhaj tha se arritja e kësaj marrëveshje konfirmon vullnetin politik të PDK-së dhe koalicionit për kryerjen e obligimeve të marra.
“Kjo tregon që PDK-ja por edhe partnerët e koalicionit po marrin obligime që janë ndërkombëtare dhe po ju dalim zot këtyre obligimeve. Janë tri momete të kthesës. Së pari përmes kësaj rikonfrimohet vullneti politik dhe shtetëror i PDK-së për të adresuar një herë e përgjithmonë çështjen e lëvizjes pa viza në Schengen. Së dyti ne kemi treguar që Kosova po feston dekadën e parë të shtetësisë dhe ka kapacitet shtetëror, politik të kryejë punët pa mbështetje e partnerëve ndërkombëtar. Kurse e fundit një fqinjë si Mali i Zi, fqinjë që ka mirëkuptim që përmes dialogut dhe komunikimit diplomatik t’i zgjidh të gjitha çështjet bilaterale”, tha Hoxhaj.
Sipas tij është koha e fundit që Kuvendi i Kosovës ta votoj marrëveshjen pas arritjes së kësaj deklarate që qytetarët të lëvizin drejt Evropës dhe kjo do të ishte nje ndër arritjet më të mëdha të Kosovës në dekadën e parë e shtetësisë.