Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të Sindikatës së Shërbyesve Civilë dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Bashkë me Bedri Hamzën, ata kanë prezantuar planin e Rimëkëmbjes, i cili parasheh rritjen e pagës minimale në 300 euro.
Në komunikatën e PDK-së dërguar par medie thuhet se, Hoxhaj ka theksuar se do të ketë edhe ngritje të pagave deri në 30 për qind për sektorin publik. Ai po ashtu ka thënë se do të ketë rishikim të Ligjit të Punës për ta avancuar kornizën ligjore, e cila do të sigurojë kushte dinjitoze të punës me mbrojtje maksimale të të punësuarve.
“Paga minimale do të jetë 300 euro dhe për këtë jemi të vendosur, Bedriu ka punuar në detaje. Në sektorin publik 30 për qind rritje për të gjitha kategoritë, tani ka dallime në bazë të përvojës, kualifikimit. Ligji i punës duhet të rishikohet, numri i inspektorëve duhet të rritet dhe përveç mjekëve, policëve, mësimdhënësve, të cilët nuk janë njëjtë dhe të barabartë me shërbyesit e tjerë civilë“, ka paralajmëruar Hoxhaj.
Sipas tij, PDK-ja është e vendosur që këtë ligjin e ri të pagave ta rishikojmë, ta miratojmë dhe të jetë një mbështetje konkrete.
Ndërsa, ish-ministri i Financave nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka shpalosur detaje se si planifikojnë ta bëjnë pagën minmale në 300 euro dhe ngritin pagat e sektorit publik deri në 30 për qind.
“Ne e kemi bërë këtë jo si paushall, por e kemi bërë si propozim i cili duhet me qenë i bazuar, i matshëm dhe i përballueshëm. Të gjitha ndërmarrjetve private që paguajnë të punësuarit prej 500 euro pagë kemi me ua zvogëlu tatimin në fitim prej 10 në 5 për qind. Ne kemi propozuar 30 për qind rritje të pagave për të gjithë, po flas kjo është mesatare se kur të hymë në strukturë del më ndryshe. Sepse, ligji i pagave që ka kaluar ka pasur defekte dhe kam thënë se atëherë kam pasur dilema që janë disa gabime që mundet me pasur defekte”, ka shtuar ai.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, do të vazhdojë gjatë ditës me aktivitete të tjera publike, për të shpalosur planin e Rimëkëmbjes në të gjithë sektorët.