Hoxhaj: Shkarkimi bordit të RTK-së, tendencë për kontrollim të medieve dhe vullnetit politik nga Kurti

Prishtinë | 22 Qer 2021 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për shkarkimin e bordit të RTK-së, duke thënë se kjo qeveri me prirje autoriare po synon t’i kontrollojë mediat dhe opinionin publik.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se nxitja për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe shkarkimi i bordit të RTK-së vëjnë në pah mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë Qeverisës.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik. Fatkeqësisht, këtë manual po e zbaton me përpikmëri Qeveria Kurti II. Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend.

Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme