Hoxhaj: Vendimi i Gjykatës i pritur, për 14 muaj qytetarët përjetuan zhgënjim e mashtrim

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 14:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të dërguar vendin në zgjedhje, ka qenë i pritur, për shkak të krizës, raporton Ekonomia Online.

Ai në një konferencë për medie ka thënë se kjo parti shumë shpejtë do ta ketë kandidatin e saj për kryeministër.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ngjarje e shpejtë dhe ne nuk e kemi folur një temë të tillë në PDK. Por ne shumë shpejtë do të dalim me kandidatin që do t’i prijë listës. Në këtë kohe kemi pasur unitet të brendshëm”.

“Qytetarët për 14 muaj përjetuan zhgënjim, mashtrim e shpresë të vjedhura. Ajo qe ka ndodhur këta muaj është degradimi me i madh qe ka pasur vendi për 20 vjet dhe janë dy qeverite më të dobëta që ka pasur Kosova”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje dhe ka programin më të mirë për qeverisje.

“Si PDK jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të bindur se ne e ofrojmë programin e duhur për qeverisje. VV dhe LDK-ja kanë dështuar që ta menaxhojnë pandeminë, numri i vdekjeve është më i larti në rajon, vendi ka qenë më i izoluar se kurrë. Një Qeveri Hoti u dorëzua para Serbisë dhe hoqi dorë nga zgjerimi i sovranitetit të Kosovës. Të dy Qeveritë i kanë cenuar raportet tona me shtetet mike dhe i kanë përçarë raportet me Shqipërinë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj në konferencë ka thënë se janë vetëm dy lajme të mira që i kanë ndodhur vendit në 14 muaj.

“E para, kalimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike me vendosmërinë e PDK-së dhe vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, vendim që ndali degradimin politik. Koalicioni aktual nuk ka pasë numra në kuvend për të kaluar asnjë ligj. Vendi ka qenë i bllokuar një kohë të gjatë”.

Ai ka thënë se ky subjekt politik është i gatshëm për zgjedhja dhe që përsëri ta marrë drejtimin e institucioneve.

Lexoni fjalimin e plotë të kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj:

Të nderuar gazetarë,

Qytetar të dashur të Kosovës,

Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare të jashtëzakonshme në Kosovë. Ky ishte një vendim mëse i pritur dhe i domosdoshëm në krizën politike të Kosovës të shkaktuar që pas 6 tetorit të vitit 2019.

Qytetarët e Kosovës fatkeqësisht dhe pa fajin e tyre, për 14 muaj përjetuan zhgënjim, mashtrim, shpresa të vjedhura e premtime të pambajtura. Degradim institucional nga të dyja qeveritë e dala si ajo e VV dhe kjo e LDK, dhe vjedhje të legjitimitetit e vullnetit të sovranit.

Asnjë qytetar i Kosovës nuk e ka merituar këtë katandisje. As një familje nuk e ka merituar zhytjen e mëtejshme në varfëri. As një biznes nuk e ka merituar mbylljen dhe asnjë punëtor humbjen e vendit të punës së tij. Sepse ato ndodhën me fajin e dy qeverive.

Dhe lajmi i ditës së sotme i Bankës Qëndrore të Kosovës që rënia ekonomike do të jetë 7.2 % është vërtet për tu shqetësuar për të ardhmen e këtij vendi.

Ne si PDK, megjithëse si parti opozitare, nuk i gëzohemi këtij degradimi ekonomik, institucional dhe politik. Madje nga ky pozicion i partisë së vetme opozitare gjatë këtij mandati, kemi dhënë mbështetjen tonë vetëm tek pjesa ekonomike duke votuar buxhetin dhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Të dashur qytetarë,

Të vetmet lajme të mira në këtë vit, nga 6 tetori i vitit 2019, janë dy – kalimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike me ndihmën e PDK-së dhe vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e degradimit politik dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e kishte shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë edhe një ligj të vetëm.

Ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore dhe që është më e rënda – është udhëhequr nga një arrogancë e pushtetit e mos-kokëcarje. 

Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë kishte ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës për ta kthyer besimin edhe njëherë te vullneti i popullit.

Që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake. 

Nga ajo kohë, ka mbizotëruar vizioni dhe qëndrimi i PDK-së për të mbetur në opozitë, e bindur thellë se asnjëra nga këto parti politike nuk e ka dijen, vullnetin e mundësinë për të bërë ndryshime në këto vend.

LVV dhe LDK prodhuan dy qeveri njëra pas tjetrës, krizë pas krize, dështime me menaxhimin e pandemisë, vdekje të shumta, kolaps të ekonomisë dhe izolim të Kosovës me jashtë.

Një qeveri e Kurtit i ofronte Serbisë dalje në Adriatik nëpërmjet Kosovës, kurse kjo e Hotit dorëzim para Serbisë duke hequr dorë nga lobimi për njohje dhe aplikim në organizata ndërkombëtare.

Këto qeveri nxituan të cënojnë marrëdhëniet e shenjta me shtetet mike, dhe u vërsulën të përcajnë raportet vëllëzërore me Shqipërinë.

Cdo herë qeveritë në Kosovë kanë pasur një qasje mbi partizane ndaj qeverive në Shqipëri – sepse të qenit popull i një trungu ka qenë më i rëndësishëm se cfarëdo pozite politike që mban e parti që përfaqëson.

Të nderuar qyetarë të Kosovës,

Si Parti Demokratike e Kosovës jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të bindur se do të ofrojmë programin më të mirë dhe njerëzit më të duhur për të marrë përgjegjësi të reja për vendin.

Kosovës si kurrë më parë i duhet qartësi, vullnet e guxim në vendimmarrje për ta këndellur ekonominë, ri-vendosur marrëdhëniet me miqtë dhe nxjerrë nga izolimi shtetin më të ri. 

PDK-ja është e vetmja parti që i ka dhënë shpresë e qeverisje të mirë vendit. Me të njëjtën logjikë jemi udhëhequr edhe në opozitë – duke bërë opozitë ndaj qeverisë por jo ndaj shtetit.

Ne, do ti ofrojmë shpresën, stabilitetin, progresin dhe programin ma të të mirë ekonomik, sepse jemi njerëzit më të përgattitur dhe përvojën më të mirë. 

Kosova, e vecanërisht PDK-ja është goditur më së shumti këtë vit. Udhëheqësit e luftës dhe krerët e PDK-së sot janë në Hagë, por ne do të dalim edhe më të fort, më të bashkuara dhe më mirë të organizuar.

Nuk do të lejojmë përpjekjet shumëvjecare të Serbisë për ta kriminalizuar luftën clirimtare dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës.


Goditjen do ta kthejmë në forcë. PDK-ja ka ditur që fatkeqësitë ti kthej në vullnet pët të punuar mirë dhe drejt për qytetarët dhe shtetin tonë.

Ne do të garojmë me programin më të mirë dhe ofertën për qytetarët që ka në thelb ekonominë, ekonoominë dhe vetëm ekonominë. Kemi njerëzit më të zot, përvojën më të mirë, dhe kemi dëshmuar edhe në opozitë se ishim të vetmit që i lamë anash intereat partiake dhe votuam për interesin e qytetarëve tanë.

Ne do të vazhdojmë me iniciativat e nisura si parti në kohën e kryetarit Veseli për listë me duart të pastra, pa aktakuza dhe shpresojmë që ky standard të ndiqet edhe nga partitë e tjera politike.

Të ngjashme