28 janari ndryshe në botë njihet edhe si dita e mbrojtjes së të dhënave.
E rreth informimit të rëndësisë së kësaj dite, Kolegji UBT dhe Cyber Security and Privacy, kanë mbajtur një trajnim së bashku me studentët e UBT-së për t’i informuar ata se si duhet t’i mbrojmë të dhënat tona, raporton Ekonomia Online.
Mentor Hoxhaj, president i Cyber Security and Privacy, tha se çdo fjalë e njohur e cila ka ndikim në mbarë botën, automatikisht kapet dhe filtrohet.
“Çdo komunikim që ne e bëjmë pa tela ato kapen. Nëse thuani “Trump” ose “Kill” dijeni që ajo pjesë kapet dhe filtrohet. Janë më qindra mijëra kamera në momentin e parë që dalim në rrugë. Ne mund të identifikohemi nga kamerat që janë gjithmonë në rritje”, tha Hoxhaj.
Një shkelje ligjore, sipas Hoxhajt po bëhet nga dy operatorët telefonikë si Vala dhe Ipko pasi që këto të dyja kanë qasje në informatat që përdoren nga klientët e tyre
Sipas Hoxhajt, këtë autoritet duhet ta gëzojë vetëm Policia e Kosovës.
” Vetëm policia e Kosovës ka autoritet që të vendos kamera në hapësira publike. Në atë kohë të dhënat të cilat janë ruajtur kanë qenë numri i telefonit, numri i cili ka thirr dhe koha e thirrjes. Ndërsa tash kemi mbi 40 të dhëna të cilat ruhen në momentin kur thërrasim dikë. Posta i ka dhëna linçet policisë dhe të ua jap autoritetin atyre që ti përgjojë thirrjet. Në bazë të ligjit Ipko dhe Vala nuk do duhej të dinin se kush po përgjohet. Kemi dy dhoma të përgjimit, ajo e Inteligjencës dhe Policisë. Çdo klient i shërbimit të Vala mundet të përgjohet nga Policia e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Të rrezikuar nga dhuna kibernetike ose rrezikimi me manipulimin e të dhënave po del të jetë edhe Zyra e Kryeministrit por edhe Komuna e Prishtinës.
Ata nuk janë mjaftueshëm të mbrojtur në sistemin e të dhënave.
“Çdo herë është dikush mbrapa që është duke mbledhur informacione mbi ju. Zyra e kryeministrit dhe Komuna e Prishtinës janë të rrezikuar nga hakerët pasi që ata nuk janë mjaftueshëm të mbrojtur”, tha ai, raporton EO.
Aty Hoxhaj tregoi edhe për mënyrën e GDPR-së ose pëlqimit, të cilën e pranojmë gjatë kyçjes në rrjetet sociale.
“Me këtë veprim rrjetet në fjalë mund të na aktivizojnë kamerën ose mikrofonin tona pa dijeninë tonë. Ai duhet të jetë specifik dhe jo gjeneral. Të jetë i dhënë në vullnet të plotë. Mund të tërhiqet në çdo kohë. Kontrolluesi duhet çdo kohë të japë dëshmi për pëlqimin e dhënë”, tha ai.