Humb jetën në aksident 27-vjeçarja shtatzënë

Prishtinë | 21 Gus 2018 | 17:18 | Nga

Një aksident i rëndë i ka marrë jetën një gruaje shtatzënë paraditen e kësaj të martë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin Levan – Fier, ku dy mjete janë përplasur kokë më kokë. Si pasojë ka mbetur e vdekur në vend 27-vjeçarja Majlinda Troka e cila ishte shtatzënë në muajin e gjashtë.

Bashkë me të në makinën tip “Audi” të nisur për në Fier, udhëtonte edhe vjehrri i saj, i cili ishte drejtues i mjetit dhe fëmija tjetër i viktimës, 5-vjeçar. Të dy këta persona ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën në spital.

Të plagosur mbetën edhe tre persona që ndodheshin në mjetin tjetër tip “Benz”, i cili udhëtonte drejt Vlorës. Sipas policisë, ky mjet dyshohet se është dhe shkaktar i aksidentit.

Drejtuesi i tij është futur në parakalim të gabuar, gjë që ka sjellë edhe aksidentin fatal. Një dëshmitar okular tregon edhe momentin kur pa përplasjen dhe gjendjen e personave të përfshirë në aksident.

Sipas policisë, drejtuesi i “Benzit” ka ulur shpejtësinë, por kjo nuk ka mjaftuar për të shpëtuar jetën e 27-vjeçares Majlinda Troka.

Të dy mjetet pas përpalsjes së fortë kanë dalë nga rruga. Megjithatë grupi hetimor do të kryejë një ekspertizë përfundimtare dhe vetëm pas saj do përcaktohet shkaku i këtij aksidenti të rëndë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme