Hungari, udhëheqësi antievropian merr mandatin e tretë

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 09:19 | Nga

Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz janë fituesit e padiskutueshëm të zgjedhjeve në Hungari, ku rezultatet e para e vendosin në krye me thuajse gjysmën e 93% të votave të numëruara deri tani.

54-vjeçari do të shërbejë në krye të ekzekutivit për të tretin mandat radhazi, ndërsa Fidesz-i duket se ka për ta ruajtur supermazhorancën e saj të 2/3-ve në Parlament.

Në fjalën drejtuar simpatizantëve mbrëmjen e së dielës, euroskeptiku u shpreh se fitorja i dha hungarezëve mundësinë që të mbrojnë veten dhe të mbrojnë vendin.

Liderët e partive të renditura në vend të dytë e të tretë, Jobbik e Partia Socialiste dhanë dorëheqjen, duke marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë e humbjes. Qëllimi i Jobbik-ut për të fituar zgjedhjet dhe për të sjellë një ndryshim të qeverisë nuk u arrit. Fidesz-i fitoi edhe këtë radhë, u shpreh kryetari i Jobbik-ut, Gabor Vona. Ndërsa kreu i Partisë Socialiste, Gyula Molnar njoftoi tërheqjen e tij, duke thënë se e kërkojne tek vetja përgjegjësinë për atë që ndodhi dhe shtoi se e pranojnë vendimin e votuesve.

Qendrat e votimit u mbyllën në 19:00, por disa qëndruan hapur edhe disa orë më vonë për shkak të radhëve të gjata. Pjesëmarrja prej 69% iu afrua niveleve rekord. Disa prisnin që dalja masive në votime do të çonte ujë në mullirin e kundërshtarëve të kryeministrit, por nuk ndodhi ashtu. Jobbik-u është shumë larg në vendin e dytë, me 20% të votave, socialistët morën vetëm 12%, LMP, partia më e madhe e gjelbër në vend, 7%.

Fidesz-i e ngjyrosi kështu edhe një herë portokalli hartën e Hungarisë, por ndërsa ka triumfuar në provinca, ajo rezulton të ketë humbur votën e të rinjve. Për zgjedhësit anti-Fidesz pati vetëm një ngushëllim: shumica e zonave elektorale në kryeqytetin Budapest i dhanë fitoren kandidatëve të opozitës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme