Hungaria do të ofrojë deri në 75 bursa për studentët kosovarë

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj gjatë vizitës zyrtare në Hungari, ka nënshkruar dy marrëveshje bilaterale me ministrin e Jashtëm të Hungarisë.

Likaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se nga këto marrëveshje do të ketë edhe bursa për studentët kosovarë.

Postimi i plotë:

Gjatë vizitës zyrtare në Budapest, i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme, znj. Meliza Haradinaj-Stublla dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Time Kadrijaj, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, zhvillova një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Republikës së Hungarisë, z. Péter Szijjártó.

Nënshkruam dy marrëveshje bilaterale: Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve, si dhe Programin e Koordinimit për Shkencën dhe Edukimin. Po ashtu, nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e Edukimit e Shkencës për ofrimin e skemës së bursave ‘Stipendium Hungaricum’, duke ngritur kështu numrin e bursave të ofruara nga Hungaria për studentët kosovarë nga 50 në 75 për tri nivele të studimeve.

Gjatë ditës së sotme, gjithashtu takuam edhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez, z. Zsolt Németh.

Bashkërisht shprehëm mirënjohjen ndaj Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme