Hungaria jep 62 milionë € për trajtimin e ujërave të zeza

Prishtinë | 14 Dhj 2016 | 10:10 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó, kanë nënshkruar marrëveshje për themelimin e një programi kornizë për bashkëpunim financiar.

Me anët të kësaj marrëveshje Kosova përfiton 62 milionë euro, e cila mbulon sektorin e ujërave të zeza, raporton Ekonomia Online.

Ministri Hoti, falënderoi ministrin e Hungarisë për vizitën që i ka bërë Prishtinës dhe për nënshkrimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme për vendin, përmes së cilës po krijojnë themelet e para të bashkëpunimit financiar ndërmjet shtetit tonë dhe shtetit hungarez.

Ai bëri të ditur se marrëveshja arrin vlerën 62 milionë euro dhe përmban një normë të interesit 0%, e cila nuk krijon fare shpenzime të interesit për Qeverinë e Kosovës.

“Periudha e kthimit të fondeve të cilat do të huazohen në të ardhmen përmes kredive individuale për të financuar projektet specifike do të jetë 17 vite kurse grejs periudha do të zgjatë 1 vit e gjysmë duke filluar nga dita e përfundimit të projektit. Fondet të cilat do të huazohen në të ardhmen do të përdoren në sektorët e ujërave dhe trajtimin e ujërave të zeza si dhe në projekte infrastrukturore”, tha ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ministrin Szijjártó janë dakorduar për zgjerimin e bashkëpunimit  edhe në fusha tjera “U informova se është një linjë tjetër kreditore mbështetëse për sektorin privat që do t’i mbështes bizneset hungareze dhe kosovare për të bashkëpunuar në mes vete, dhe unë do të angazhohem maksimalisht për të promovuar këtë mundësi në tregun kosovar. Ne gjatë takimit gjithashtu biseduam edhe për Marrëveshjen për Mbrojtjen e Investimeve, dhe unë do t’i kërkoj ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami që të shqyrtojë fillimin e proceduarve për këtë Marrëveshje”.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó duke falënderuar Ministrin Avdullah Hoti bëri të ditur se  Marrëveshja e  nënshkruar sot është e bazuar në Udhëzimin e Kryeministrit.

“Siç e dini Kryeministri i Juaj e ka vizituar Hungarinë  gjatë verës së  këtij viti dhe kanë arritur një Marrëveshje me Kryeministrinë tonë për  Marrëveshjen e nënshkruar për Kredi të  dedikuar për ndihmë,  e cila jepet nga Banka ‘EximBank’ e Hungarisë për Kosovën. Gjithashtu edhe Hungaria i bashkëngjitet kësaj rëndësie që ky bashkëpunim bilateral për Kosovën, këtu shohim mundësi tjera të mëdha për kompanitë hungareze, në veçanti në fushat e trajtimit të ujërave, bujqësi dhe infrastrukturë etj. Kompanitë tona për Menaxhimin e ujit veç se kanë filluar negociatat për renovimin e rezervarit të ujit në Batllavë, për mbrojtjen nga vërshimet në jug të Kosovës, të cilat projekte mund të përfshihen, të inkuadrohen brenda kësaj Marrëveshje për Kreditë e dedikuara për ndihmë”, bëri të ditur ministri Péter Szijjártó .

Ai gjithashtu bëri të ditur se është themeluar Komiteti i përbashkët Ekonomik, takimi i parë i këtij komiteti do të ndodh në Janar për të negociuar më tej për këto projekte zhvillimore.

“Përkrah kësaj kredi-marrëveshje ‘EXIM’ Bank gjithashtu ka hapur një linjë tjetër kreditore për bashkëpunim (bussiness-to-business) për bizneset kosovare dhe atyre hungareze. Kjo marrëveshje-kredi është në vlerë prej 85 milionë eurove gjithashtu me kushte të favorshme, që mund të shfrytëzohet si nga bizneset kosovare dhe ato hungareze për të kryer apo zhvilluar transaksionet e eksportit”, shtoi ministri Péter Szijjártó .

Sipas tij, kjo pako për të cilën janë dakorduar, do t’i jep një nxitje të madhe bashkëpunimit ekonomik të të dyja vendeve.

“Numrat tona janë inkurajues. Bashkëpunimi ynë bilateral është i rritur është për 20% gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, dhe jemi të zotuar ta përforcojmë më tutje këtë bashkë bashkëpunim. Gjithashtu me Ministrin e Financave kemi arritur marrëveshjen për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për mbrojtjen e Investimeve të Përbashkëta, e cila do ta kompletojë bazën kontraktuale për bashkëpunimin ekonomik”, tha kryediplomati hungarez Szijjártó.

hoti-ministri-hungarez hoti-ministri-hungarez1

avdullah-hoti1

 

Të ngjashme