Në vazhdën e vizitës zyrtare në Hungari, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar Tünde Szabó, Ministre e Shtetit për Çështje të Sporti të Hungarisë.
Ndërmjet ministrit Shala dhe ministres Szabó u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës dhe Hungarinë, duke u ndalur sidomos te përvoja hungareze në infrastrukturën sportive dhe në edukim, dhe u tha se bashkëpunimi në fushën e sportit ndikon në secilën fushë, ndaj është tejet i rëndësishëm.
Shala dhe Tünde Szabó biseduan edhe për punët që po bën Kosova në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend, sidomos tani meqë sporti i Kosovës është bërë pjesë e sportit ndërkombëtar dhe kërkohet që të avancohen standardet, në përkim me kriteret ndërkombëtare.
Ministrja e Shtetit për Çështje të Sporti të Hungarisë, Tünde Szabó, e njoftoi ministrin Shala me zhvillimet në sportin në Hungari, me përkrahjen që i jep Qeveria e këtij vendi sportit dhe me mundësitë që janë për të bashkëpunuar ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.
Ministri Kujtim Shala e falënderoi ministren Tünde Szabó për përkrahjen, dhe u shpreh se në këto momente, Kosovës i duhet ndihmë prej vendeve mike, siç është Hungaria.
Në këtë takim, ministri Shala e shtroi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy federatave të futbollit, po ashtu edhe çështjen e edukimit të trajnerëve, sportistëve dhe reverëve, për të cilën Tünde Szabó u shpreh se janë të gatshëm të ndihmojnë sportin e Kosovës, në edukim, me ekspertë, si dhe me pjesëmarrje të sportit të Kosovës në gara të ndryshme që zhvillohen ne Hungari.
Gjithashtu në kuadër të vizitës në Hungari, ministri Kujtim Shala, ka zhvilluar një takim pune me Gabor Deregan, udhëheqës i Divizionit të Sportit dhe Istvan Szalai, drejtor për Marrëdhënie Qeveritare dhe Projekte Strategjike në Odën Ekonomike të Hungarisë, me të cilët bisedoi për projektin e Stadiumit Nacional të Kosovës.