Ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës” Miftar Hyseni ka deklaruar se në “Trepçë” vazhdon të jetë gjendje e njëjtë sikurse edhe më përpara, me nivel të ulët të prodhimit, por në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për falimentim të ndërmarrjes. Nuk ka asnjë lëvizje përpara pa u miratuar draftstatuti, pa u regjistruar ndërmarrja dhe pa u pranuar punëtorë të rinj.
Derisa në “Trepçë” të veriut të Mitrovicës flitet për ndërtimin e fabrikave të reja dhe për shtimin e prodhimit, në “Trepçë” të jugut mendohet edhe për falimentimin e ndërmarrjes.
Miftar Hyseni, ushtrues i detyrës së drejtorit të “Trepçës” në Stan Tërg, nuk pranon se situata ka ardhur deri aty sa minierës t’i vihet dryni, megjithëse vështirësitë me të cilat përballet pothuajse prej pasluftës thotë janë të qarta.
Ai i ka thënë “Zërit” të mërkurën se aktualisht në “Trepçë” është situatë e njëjtë sikurse ka qenë edhe më përpara, pa asnjë ndryshim, se prodhimi vazhdon të jetë i nivelit të ulët, por që punëtorët të cilët punojnë pagat i marrin me kohë dhe nuk kanë asnjë arsye për t’u brengosur se ata do të mbesin pa paga.
Ai thotë gjithashtu se edhe miratimi i Ligjit për “Trepçën” para dy vjetëve nuk i ka ndihmuar fare ndërmarrjes, sepse janë bërë vonesa me formimin e Bordit Mbikëqyrës, ndërsa nuk është miratuar as statuti dhe as nuk është regjistruar ndërmarrja.
“‘Trepça’ falimenton vetëm atëherë nëse të gjithë ne ndalemi dhe nuk punojmë fare. Kështu siç është situata tani për një gjë të tillë as që mund të mendohet e kurrsesi të diskutohet. Ndodhemi në status quo, do të thosha ‘as me Pejë, as me Gjakovë’.
Qeveria e Kosovës duhet të veprojë shpejt, sepse pa miratimin e draftstatutit dhe pa u regjistruar ndërmarrja nuk ka ecje përpara. Për falimentimin flasin vetëm ata që kanë interesa, të cilët pretendojnë dhe kanë orekse të bëhen drejtorë. Ata që e dinë gjendjen nuk flasin për falimentimin.
Në ‘Trepçë’ duhet të mendohet për inkuadrimin e punëtorëve të rinj në prodhim, sepse aktualisht mosha mesatare e tyre është mbi 60 vjeç. Çfarë pune mund të bëhet me punëtorë të kësaj moshe? Fatbardhësisht i kemi rreth 300 punëtorë, të cilët janë pranuar më vonë e që mund të sistemohen në prodhim, por gjithsesi duhet të pranojmë punëtorë të rinj”, tha Hyseni.