Ibadete Bytyqi e Fjolla Kaçaniku fituese të çmimeve të MAShTI-t

Prishtinë | 07 Shk 2022 | 11:55 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ibadete Bytyqi është shpallur fituese e çmimit “Shkencëtari i vitit” në fushën e mjekësisë, kurse Fjolla Kaçaniku si “Shkencëtari i ri i vitit” për vitin 2021, në fushën e arsimit, raporton Ekonomia Online.

Këto çmime janë ndarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci, tha se ndihet e lumtur pasi ky çmim për herë të parë po ndahet për dy zonja.

Ajo premtoi buxhet e më shumë kushte për shkencëtarët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre.

“Mbështetja do të jetë e plotë me buxhet dhe kushte të nevojshme që krijuesit tanë të kryejnë punën e tyre në mënyre sa më të mundshme. Sot jemi me këtë aktivitet tradicional për hulumtuesit tanë që ta plasojnë punën e tyre aty ku zënë vend dija. Me kënaqësi shpallim zonjën Ibadete Bytyqi ‘Shkencëtare të vitit’ dhe Fjolla Kaçanikun si ‘Shkencëtarja e re e vitit’”, tha Nagavci.

Kryesuesi i Këshillit, profesori Shyqyri Kelmendi, tha se për here të parë në mënyrë solemne dhe publike pranuan shpalljen e dy laureatëve të shkencës kosovare. Ai kërkoi më shumë buxhet për nxitjen e shkencëtareve të rinj në këtë fushë.

“Norma e cila është 0.7 për qind nga buxheti i Kosovës është normë e ulët dhe duhet të ngritët për stimulim. Vitet e shkuara ky aktivitet ka kaluar pa u vërejt shumë. Shpresoj që çdo vit do ta festojmë shpalljen e shkencëtareve të rinj dhe të vitit. Të jesh shkencëtarë do të thotë të merresh me një veprimtari të veçantë. Dhe në fund me teorinë shkencorë të mbështetësh ato konkluzione”, tha ai.

Ndërsa Ibadete Bytyqi, fituese e çmimit “Shkencëtari i vitit”, në fushën e mjekësisë, u shpreh falënderuese ndaj ministres Nagavci për përzgjedhjen e saj si fituese e çmimit.

“Falënderoj përjetësisht Ministrinë e Arsimit që në shtetin tim në vendin tim më bëri të përjetojë një ndjenjë të tillë”, tha ajo.

Fituesja e çmimit “Shkencëtari i ri i vitit” për vitin 2021, në fushën e arsimit, Fjolla Kaçaniku është shprehur mirënjohëse që kjo fushë për herë te parë u vlerësua me një çmim.

“Këtë çmim do ta marrë dhe do të mundohem jo vetëm në aspekt shkencor, por edhe në aspekt të përkthimit të këtyre të dhënave t’i aplikojë në praktikë”, u shpreh ajo.

Profesoresha Muzafere Nimani tha se ndihet e lumtur që përzgjedhja këtë vit ka mbuluar dy fusha kryesore, siç është ajo e mjekësisë dhe ajo e arsimit.

“Unë e di që në këto dy fusha nuk gjenden bash mirë në këto kohë. Gëzohem që sot iu dha hapësira që këto dy femra sot të jenë fituese”, tha Nimani.

Të ngjashme