Ibrahimi: Kontratat kolektive po ua marrin miliona euro komunave, buxheti i 2025-ës nuk mjafton

Prishtinë | 19 Nën 2024 | 08:00 | Nga Diellza Gashi

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Ekonomia Online se buxheti i Kosovës për vitin 2025 është i pamjaftueshëm për komunat, pasi që kontrata kolektive po ua marrin miliona euro.

Ibrahimi ka thënë se vetëm këtë vit komunave u janë marrë mbi 62 milionë euro nga kontratat kolektive, e kjo sipas tij, paraqet një mungesë të madhe financiare, e cila pasqyrohet në mungesën e investimeve kapitale.

Ai ka thënë se shpreson që deputetët, në dëgjimin e dytë të Buxhetit 2025, do ta ngrisin “këtë shqetësim në emër të komunave” dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.

“Këtë vit në vitin 2024 buxheti në përqindje ndaj komunave në raport me buxhetin total të Kosovës ka qenë 22.4 për qind, nëse përqindja do të ishte e njëjtë në vitin e ardhshëm me këtë vit atëherë komunat do të përfitonin mbi 20 milionë euro më shumë. Është e domosdoshme që buxheti për komuna të ngritet sepse kontrata kolektive janë duke i marrë miliona euro komunave të Kosovës, vetëm në këtë vit komunave u janë marrë mbi 62 milionë euro, për këtë arsye po kërkojmë që niveli qendror të kujdeset më shumë për komuna sepse e kemi problemin e kontratave kolektive, është problemi që granti në kuadër për investime kapitale nuk është themeluar ende dhe probleme të tjera të cilat janë duke ndodhur në nivelin lokal”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se kërkesë e kamotshme e komunave është themelimi i grantit të katërt por që nuk po merret parasysh nga niveli qendror.

“Kemi kërkuar që të themelohet granti i katërt, granti për shërbime sociale, të cilat janë të akomoduar në projektligjin për financa lokale mirëpo Qeveria këto kërkesa duke i shtyrë përpara. Kemi pasur takim edhe me Konjufcën, si dhe kryetarin e Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere, të dy palëve iu kemi laborurar në detaje problemet me kontrata kolektive. Në bazë të analizave të kryetarëve del që ka një gjakderdhje të jashtëzakonshme financiare, nëse një punonjës arsimor në bazë të kontratës kolektive i merr rreth 3 mijë euro, kostoja financiare për procesin e përmbarimore, gjyqësorë dhe avokatëve këtë përqindje e ngrit në vend që niveli qendror ta zgjidh këtë problem në mënyrë që këto të mos ndodhin ata janë duke heshtur dhe nuk janë duke ofruar asnjë zgjidhje”, deklaroi ai.

Ibrahimi ka kërkuar nga ligjvënësit që ta zgjidhin problemin e komunave me kontratën kolektive, pasi komunat rrezikojnë që t’i humbin dhjetëra miliona euro vitin e ardhshëm.

“Shpresojmë se gjatë dëgjimit të dytë të Buxhetit 2025, deputetët ta ngrisin këtë shqetësim në emër të komunave që të gjetet një zgjidhje të qëndrueshme. Nëse edhe këtë herë dështon vitin e ardhshëm komunave do t’iu merren miliona euro për zbatimin e kontratave kolektive. Problemi është se qytetarët nuk do të mundin të shohin projektet për investime kapitale. Kur po i merren mjete financiare komunave raportet e Auditimit po dalin keq të klasifikuara sepse komunat nuk kanë vijë buxhetore për mbulimin e shpenzimeve nga kontrata kolektive dhe Auditorë po konstaton që ka keq klasifikim. Kjo ndikon sepse komunat nuk po mundin të garojnë në skenën e grantit të performancës ku komunat mund të fitojnë me miliona euro”, theksoi ai.

Ibrahimi ka përmendur edhe shumën që u janë marrë këtë vit komunave nga kontrata kolektive, mjete këto të marra nga investimet kapitale.

“Të gjitha këto i kemi bërë me dije nivelit qendror por nuk kemi parë zgjidhje, vetëm në këtë vit iu kanë marr mbi 60 milionë euro nuk mund të thonë që qëndrojnë mirë, sepse nuk kanë qenë të parapara, dhe shumica e mjeteve janë marrë nga investimet kapitale të cilat janë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. Në vitin 2023 janë marrë vendim të cilat zbatohen në vitin 2024 mirëpo për shkak të kontratave kolektive nuk mund të zbatohen. Kemi mungesë të madhe financiare, këtë në raport me vitin e ardhshëm po të ishte përqindja e njëjtë si këtë vit komunat do të përfitonin 21 milionë euro, ndoshta për nivelin qendror nuk janë shumë por për komuna janë shumë”, shtoi Ibrahimi.

“Kjo është një varg i probleme ku ne i kemi njoftuar edhe kryeministrin, edhe ministrin e financave, si dhe krye parlamentarin, por të njëjtën kohë kemi informuar të gjithë deputetë. Si pasojë e kontratave kolektive këtë muaj ka rrezik mbi 10 komuna të mos kenë mjete financiare për paga ndaj zyrtarëve komunal”, përfundoi ai.

Të ngjashme