Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar se me ministrin e Shëndetësisë kanë rënë dakord për lirimin e masave anti-Covid.
Sipas tij, kërkesat për lirimin e masave do të dërgohet me pas në Qeveri, por që akoma nuk bëhet e ditur data e fillimit të zbatimit të tyre.
“Në këtë takim u diskutuan kërkesat e komunave, ku përveç vaksinimit të popullatës ishin edhe eliminimi apo heqja e orës policore dhe kufizimi i lëvizjes e gjithashtu edhe lehtësimi i masave që nënkupton edhe punën e gastronomisë edhe punën e hotelerisë dhe punën e bujqve, por edhe të bizneseve të tjera dhe u dakorduam që gastronomia me vendimin e ri qeveritar të ketë të drejtën të punojë deri në ora 23:00”.
“…duke u bazuar në situatën pandemike në vend nëse vazhdohet me këtë trend të numrit të të infektuarve ka mundësi reale që të fillojnë edhe organizimi i ahengjeve dhe dasmave. Pra të gjitha këto kanë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal dhe në theks të veçantë ju dha edhe ardhjes së diasporës, mikpritjes së tyre dhe lehtësimit të masave edhe për ta”, tha ai.
Ai tha që këto vendime do të kenë ndikimi te rritja e buxhetit të komunave dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
“Këto ishin propozime që u mirëpriten nga ministri Vitia, dhe ai do ti paraqes këto si rekomandime në takimin e radhës të Qeverisë së Kosovës dhe besojmë se këto rekomandime do të përkrahen pasi edhe premtimi i ministrit ishte që do të përkthehen në vendime qeveritare dhe në takimin e radhës nuk e dimë se kur do të mbahet, por do të merren këto vendime dhe se nuk dihet se kur do të fillojnë të zbatohen, por që situata është duke u normalizuar”.
“Me lirimin e këtyre masave edhe buxheti i komunave do të rritet, që të kemi lehtësira të tilla që kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik-lokal. Paramendoni vetëm të hyrat nga ahengjet e dasmat dhe sektori i gastronomisë nëse do të përgjysmoheshin atëherë një shumë jashtëzakonisht e madhe e parave do të dilnin nga republika e Kosovës”.
Gjatë këtij takimi Ibrahimi tha se kanë marrë zotim nga Vitia se këtë javë pritet që të vije edhe kontingjenti i radhës i vaksinave, ku pritet të arrijnë mbi 100 mijë vaksina.
“Gjithashtu ministri Vitia i informojë kryetarët e komunave sa i përket vaksinimit të popullatës së vendit por edhe me ardhjen e kontingjenteve të reja të vaksinave, presim që nga fundi i kësaj jave të arrijnë rreth 100 mijë vaksina të reja nga rrjeti Covax kështu e theksoi edhe ministri Vitia, por gjithashtu edhe në të ardhmen që do vinë edhe kontingjente të reja të vaksinave që të fillohet një vaksinim i gjithë popullatës”, deklaroi Ibrahimi.
Edhe ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje rreth takimit që ka zhvilluar. Sipas njoftimit nga MSh-ja ministri Vitia i informoi kryetarët e komunave për gjendjen e përditësuar epidemiologjike dhe rrjedhën e procesit të vaksinimit.
“Në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësor, Ministri Vitia theksoi se sipas analizës epidemiologjike, jemi duke planifikuar lehtësimin e masave parandaluese konform realitetit në terren, gjithmonë duke tentuar balancën mes shëndetit publik dhe Ekonomisë”.