Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka organizuar konferencë diskutimi me temën “Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës: Sfidat, krizat dhe mësimet për të ardhmen”, në kuadër të së cilës u publikua raporti monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë konferencë u trajtuan zhvillimet kryesore politike dhe legjislative që kanë shënuar punën e Kuvendit, duke u theksuar problemet në funksionimin institucional, mungesa e transparencës dhe sfidat në respektimin e procedurave kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se procesi i formimit të Qeverisë ishte përcjellë me mungesë transparence dhe me kufizim të debatit publik e parlamentar.
“Procesi i formimit të Qeverisë u karakterizua nga mungesa e theksuar e transparencës. Deputetët dhe opinioni publik nuk patën asnjë informacion paraprak për përbërjen e kabinetit, ndërsa zgjerimi i tij u bë pa arsyetim të qartë. Në vend të një programi të plotë qeverisës, u paraqit një ekspoze e shkurtër, duke kufizuar seriozisht mundësinë për debat dhe llogaridhënie në një moment kyç për vendin. Në të njëjtën kohë, opozita dështoi të luajë rolin e saj. Në seancën për votimin e Qeverisë, ajo u mjaftua me prezencë minimale dhe deklarime simbolike, duke lënë pa trajtuar çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”, tha Jakaj.
Ai shtoi se gjatë kësaj legjislature janë evidentuar përpjekje të vazhdueshme për shmangie të procedurave të rregullta parlamentare.
“Në planin legjislativ, janë evidentuar me dhjetëra tentativa të përsëritura për shmangie të procedurave të rregullta nga ana e shumicës parlamentare. Projektligje me rëndësi të lartë, si ai për Byronë dhe për buxhetin, janë tentuar të procedohen me shpejtësi, madje edhe kur nuk ekzistonte ndonjë urgjencë reale.
Një tjetër moment shqetësues ishte mosmiratimi i amendamentit për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagesën e përvojës së punës për zyrtarët publikë. Edhe pse amendamenti synonte harmonizimin e Ligjit për Buxhetin me aktgjykimin KO79/23 të Gjykatës Kushtetuese, ai u votua kundër nga shumica parlamentare. Si rezultat, Kuvendi miratoi një ligj që vazhdon moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, shkel Kushtetutën dhe këtë aktgjykim dhe në të njëjtën kohë shtyn realizimin e të drejtave të mijëra zyrtarëve publikë”, deklaroi ai.
Jakaj, tha se debati parlamentar është përqendruar kryesisht në ekonomi dhe procedurë, ndërsa tema të rëndësishme kanë mbetur pothuajse jashtë vëmendjes.
“Tema të rëndësishme si integrimet evropiane, të drejtat e komuniteteve, mjedisi apo dialogu Kosovë-Serbi janë lënë pothuajse jashtë vëmendjes, për më tepër, 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë, duke reflektuar një nivel shqetësues të mosangazhimit të tyre”, ka deklaruar Jakaj.
Gjatë prezantimit të raportit monitorues për Legjislaturën e X-të, Jakaj tha se në periudhën shkurt–prill 2026, aq sa zgjati Legjislatura e X-të, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 24 seanca, prej të cilave 10 kanë qenë seanca të jashtëzakonshme apo 41.7% e totalit.
“Vetëm 7 ishin seanca të rregullta apo 29.2%. Nga këto 10 seanca të jashtëzakonshme, 8 janë thirrur nga shumica parlamentare- Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa opozita ka përdorur këtë mekanizëm në mënyrë shumë më të kufizuar. Këto të dhëna tregojnë jo vetëm dominim të agjendës parlamentare nga shumica, por edhe një orientim të theksuar drejt vendimmarrjes ad hoc”, ka deklaruar Jakaj.
Sipas Jakajt, edhe procesi për zgjedhjen e Presidentit ishte ndër episodet më problematike të kësaj legjislature.
“Procesi për zgjedhjen e Presidentit ishte një nga episodet më problematike të kësaj legjislature. Ai u zhvillua pa marrëveshje politike, pa transparencë dhe në kundërshtim me rregullat kushtetuese. Seancat u thirrën edhe pse mungonin votat e nevojshme, ndërsa në disa raste u zhvilluan pa kuorumin e kërkuar, duke cenuar seriozisht ligjshmërinë dhe legjitimitetin e procesit.
Serioziteti i këtij procesi u cenua edhe më tej kur gjatë seancës një deputet i shumicës parlamentare u fotografua duke shkruar mesazhin: “Po e zgjedhim karate, pastaj të shohim çfarë thotë Kushtetusja”. Edhe pse kjo më pas u quajt sarkazëm, një qasje e tillë në një proces kaq të rëndësishëm kushtetues dëmton besimin publik në institucionet dhe në vetë seriozitetin e vendimmarrjes parlamentare.
Në të njëjtën kohë, tentativa për të proceduar me nguti amendamente kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë direkte, pa debat të gjerë politik dhe shoqëror, tregoi një qasje problematike ndaj ndryshimeve me rëndësi themelore për rendin kushtetues. Këto procese u ndalën për shkak të mungesës së votave, por reflektuan mungesë të qartë të përgatitjes dhe konsensusit”, tha ai.

