Importuesit e mallrave nga Shqipëria në protestë, refuzojnë të paguajnë 22.5 euro për dezinfektim të kamionëve

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Importuesit e mallrave nga Shqipëria kanë paralajmëruar protestë për sot në orën 12:00, në pikën kufitare të Vërmicës, pasi po vlerësojnë se dezinfektimi i automjeteve që duhet t’iu nënshtrohen me rastin e hyrjes në Kosovë, është jo i domosdoshëm dhe i lartë. Sipas tyre, nëse kjo duhet të bëhet, atëherë koston duhet ta bartë Qeveria.

Në njoftim thuhet se dezinfektimi duhet të kryhet pas çdo hyrje në territorin e Kosovës.

“Ne grupi i importuesve të mallrave nga Shqipëria jemi të detyruar të protestojmë lidhur me ngarkesën financiare që na bëhet për të ashtuquajturin dezinfektim të automjeteve në hyrje të kufirit doganor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, Vermicë (nga ana e Kosovës), që është çmim prej 22.5 Eur/ për 1 maune për një kalim. Protesta do të fillojë në ora 12:00 duke i parkuar të gjitha maunet, dhe duke e shprehur pakënaqësinë tonë lidhur me këto masa që na ngarkojnë me kosto të re të papërballueshme për afarizmin tone. Nëse është i domosdoshëm kontrolli për shkak të aspektit të mbrojtjes shëndetësore dhe rreziqet lidhur me Covid-19, ne mendojmë që atë kosto duhet ta bartë shteti (Qeveria). Ne shpresojmë që kërkesa jonë do të hasë në mirëkuptim pasi që, ne jemi të lodhur nga mospuna që ka ndodhur dy muajt e fundit duke na sjell mjaft humbje”, thuhet në një deklaratë të importuesve të mallrave nga Shqipëria.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme