Personat që janë shëruar nga COVID-19 mund të humbin imunitetin e tyre ndaj sëmundjes brenda disa muajsh, ka treguar një studim i fundit, i cili ka sugjeruar se virusi mund të infektojë sërish personat e shëruar vit pas viti, sikurse gripi normal.
Në kuadër të një studimi të parë dhe të gjatë mbi këtë fenomen, shkencëtarët kanë analizuar përgjigjen e sistemit imunitar te më shumë se 90 pacientë dhe nëpunës shëndetësorë dhe ka gjetur se niveli i antitrupave që mund ta shkatërrojnë virusin arrijnë kulmin rreth tri javë pas shfaqjes së simptomave të sëmundjes, dhe më pas bie.
Testet e gjakut kanë treguar se rreth 60 për qind e personave kanë grumbulluar përgjigje “potente” antitrupash për luftimin e virusit, teksa vetëm 17 për qind e tyre e kanë mbajtur këtë nivel tre muaj më vonë.
Rënie më e shpejtë sesa mendohej
Niveli i antitrupave bie për më shumë se 23 fish me kalimin e kohës. Në disa raste, ato madje bëhen të padetektueshme.
“Njerëzit janë duke prodhuar sisteme të arsyeshme të përgjigjes me antitrupa ndaj virusit, por ato po humben brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe varësisht prej asaj se sa i lartë ishte piku, kjo e përcakton edhe kohëzgjatjen e mbetjes në trup të antitrupave”, ka thënë mjekia Katie Doores, autorja kryesore e studimit të kolegjit londinez King’s.
Studimi ndërlidhet edhe me zhvillimin e një vaksine dhe me ndjekjen e “imunitetit të tufës” nëpër komunitete.
Sistemi imunitar ka mënyra të shumta për ta luftuar koronavirusin, por nëse antitrupat janë vija e parë e mbrojtjes, atëherë gjetjet sugjerojnë se njerëzit mund të infektohen në valë të ndryshme stinore dhe se vaksinat mund të mos i mbrojnë ata për një kohë të gjatë.
“Trendët e infektimit na ofrojnë skenarin e rastit më të mirë për përgjigjen me antitrupa, andaj nëse infektimi ju ofron nivele antitrupash që zhduken në dy apo tre muaj, atëherë vaksina sipas të gjitha gjasave do ta bëjë të njëjtën gjë”, ka bërë të ditur Doores. “Njerëzit do të kenë nevojë për shtysë tjetër dhe një dozë vaksine mund të mos jetë e mjaftueshme”.
Rezultatet e hershme të Universitetit të Oksfordit kanë treguar se vaksina e koronavirusit, të cilën është duke e zhvilluar, prodhon nivele më të ulëta të antitrupave te majmunët sesa ato që vërehen në rastet e infektimit të njerëzve me koronavirus. Derisa vaksina duket se i mbron kafshët nga infeksionet serioze, ata prapëseprapë infektohen dhe janë në gjendje që ta bartin virusin.
Duke folur për “Sky News”, profesori Robin Shattock, nga kolegji mbretëror i Londrës ka bërë të ditur se vaksina konkurruese e zhvilluar nga grupi i tij mund të jetë i disponueshëm në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, po qe se testet klinike shkojnë si duhet. Por ai ka tërhequr vëmendjen se “nuk ka siguri” nëse ndonjëra prej vaksinave në zhvillim do të funksionojë, dhe ka thënë se është ende e paqartë se çfarë niveli i përgjigjes imunitare nevojitet për parandalimin e infeksionit.
Studimi i kolegjit King’s është i pari që ka monitoruar nivelet e antitrupave te pacientët dhe punëtorët shëndetësorë për tre muaj radhazi që pas shfaqjes së simptomave.
Shkencëtarët kanë krahasuar rezultatet e testeve nga 65 pacientë dhe gjashtë punëtorë shëndetësorë, të cilët kanë rezultuar pozitivë në testet për virus, dhe nga 31 pjesëtarë të tjerë stafi që janë paraqitur vullnetarë për testime të rregullta antitrupash gjatë marsit dhe qershorit.
Studimi, i cili i është dorëzuar për publikim një reviste shkencore, por që nuk i është nënshtruar procesit të rishikimit, ka gjetur se niveli i antitrupave është rritur dukshëm dhe ka zgjatur më shumë te pacientët që konsideroheshin si raste më të rënda të sëmundjes.
Kjo mund të ngjajë ngase pacientët kanë prani më të madhe të virusit dhe kanë nevojë për më shumë antitrupa për ta luftuar infeksionin.
Versionet e virusit në qarkullim
Aktualisht ekzistojnë katër lloje të tjera të koronavirusit në qarkullim të gjithmbarshëm, të cilët shkaktojnë ftohjet e thjeshta.
“Një gjë që tanimë e dimë lidhur me këta koronavirus është se njerëzit mund të infektohen bukur shpesh”, ka thënë profesori Stuart Neil, bashkautor i studimit. “Çfarë kjo do të duhej të nënkuptonte është se imuniteti mbrojtës që njerëzit gjenerojnë nuk zgjasin tepër shumë. Duket sikur Sars-Cov-2, virusi që e shkakton COVID-19, mund t’i përkasë këtij shtegu po ashtu”.
Profesori Jonathan Heeney, një virolog në Universitetin e Cambridges, ka thënë se studimi konfirmon një mal dëshmish se imuniteti për COVID-19 është jetëshkurtër.