INDEP: Konsumatorët po përballen me sfida nga aplikimi i padrejtë i Inteligjencës Artificiale nga kompanitë

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 11:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes së konsumatorit, të premten shënuan Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Konsumatorit. Sipas INDEP, konsumatorët janë të detyruar të pranojnë politikat dhe kushtet e vendosura nga kompanitë, ndërsa nga ana tjetër, përdorimi i Inteligjencës Artificiale pa kritere të qarta dhe pa marrë parasysh etikën dhe zbatimin e ligjit, përbën një shkelje të të drejtave të konsumatorëve dhe cenon besimin në teknologji, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se konsumatorët në Kosovë, po përballen me sfida të ndryshme që rrjedhin nga aplikimi i papritur dhe i padrejtë i teknologjive të Inteligjencës Artificiale nga kompanitë, duke ndikuar në privatësinë, të drejtat e tyre dhe mungesën e transparencës.

Drejtori i Programit të INDEP, Dardan Abazi, bëri të ditur se që pesë vite INDEP shënon Ditën e Konsumatorit, teksa tha se në panel diskutimi do të jetë tema për Inteligjencën Artificiale, hovi i zhvillimit të saj dhe roli në të drejtat e konsumatorit.

“Inteligjenca artificiale është një mjet që dikush mund ta përdor për keq dhe në fund konsumatori është ai që dëmtohet”, tha ndër tjera Abazi.

Zëvendësministri i Ministrisë, Tregtisë Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mentor Arifaj, tha se mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me krijimin e një ambienti të sigurt për nevojat ekskluzive cilësore për ta.

“Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtarë të Konsumatorit për të garantuar të drejtat e konsumatorit në botë, është detyrë e jona që ata të trajtohen drejt dhe me integritet. Duhet të punojmë për të luftuar mashtrimet potenciale për t’i mbrojtur nga abuzimet dhe mashtrimet”, tha ai.

Arifaj, shtoi se si Ministria e kanë dërguar në Kuvend Projektligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit por se ende nuk është votuar.

“Ky Projektligj synon praktikat tregtare, kushtet e padrejta, blerjet e ndryshme digjitale, masat mbrojtëse, ka për interes të mbrojë interesat e konsumatorit si dhe ka të bëjë me qarkullimin e lirë të mallrave në treg”, tha Arifaj.

“Shkalla e zhvillimit të drejtave të konsumatorit është rrjedhojë e caktuar e zhvillimit të gjithmbarshëm është karakteristikë për të gjitha vendet. Ne si Ministri kemi parë të arsyeshëm hartimin e ligjit për inspektim, monetar dhe udhëzime administrative për të rregulluar çmimet e naftës. Është hartuar edhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, shpresojmë se projektligji të miratohet në Kuvend. Ky Projektligj synon që praktikat tregtare, kushtet e padrejta, blerjet e ndryshme digjitale, masat mbrojtëse, ka për interes të mbrojë interesat e konsumatorit si dhe ka të bëjë me qarkullimin e lirë të mallrave në treg”, tha tutje Arifaj.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi, tha se duhet me i kushtu më shumë vëmendje mbrojtjes së konsumatorit në blerjet online.

“Sa po e mbrojmë online produktin, iu kemi kërkuar qytetarëve që të shikojnë në ARBK para se të porosisin, të shohin se a ekziston një biznes. Çdo verë ballafaqohemi me bileta aeroplani ku 200, 500 pasagjerë mbesin në aeroport, politika duhet me iu përshtat dinamikave, mundësia për mashtrim është shumë e madhe, nuk ka ndonjë fushatë vedijësuese të formës digjitale me i informu qytetarët”, tha Ejupi.

Me tej, shtoi se duhet të rritet departamenti i punëtorëve që merren me ankesat e konsumatorëve.

Elvin Mala, Udhëheqës i Divizionit të Mbikëqyrjes se Sistemeve të Informacioneve nga Banka Qendrore e Kosovës, tha se ende nuk kanë filluar me punu në këtë drejtim, “në disa pika jemi por ende jo, lidhur me zbatimin dhe implementimin e Inteligjencës Artificiale”.

Lule Ahmedi, anëtare e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tha se kanë zhvilluar një mini-pilot që kërkesat e konsumatorit të shpërndahen përmes Inteligjencës Artificiale, por që ende nuk ka diçka konkrete.

“Ne sektorin e telekomit nuk ka shumë përdorim apo arritje praktike në aplikimin e Inteligjencës Artificiale, mirëpo mundësitë janë, ka diskutime për shpërndarje optimale në breza, ne kemi zhvilluar një mini pilot që kërkesat e konsumatorit i shpërndan përmes Inteligjencës Artificiale. Meqë BE-ja ka miratuar kodin për treg digjital edhe rregullatorët janë në mesin e mundshëm”, tha Ahmedi.

Safete Rexhepi, Kryesuese e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, tha se ky Këshill mban takime të rregullta ku prezantohen ankesat e konsumatorit.

“Ky Këshill ka mbajt takime të rregullta, ku janë prezantuar ankesat e konsumatorit. Deri më tani nuk kemi pas ndonjë ankesë, ne si Këshill jemi të hapur për të shqyrtuar ankesat për të krijuar një ambient më të sigurt, për ato që na takojnë si Këshill”, tha Rexhepi.

Të ngjashme