Inspektorati i Komunës së Shtimes ka dënuar me nga 100 euro tre banorë nga fshati Karaçicë, të cilët kanë ndërtuar furra për prodhimin e gëlqeres në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas Inspektoratit, pronarët e këtyre furrave kanë nisur ndezjen e furrave me goma dhe me materiale të ndryshme të plastikës, mirëpo janë parandaluar me kohë. Këto gjoba të cilësuara si mandatore do të paguhen brenda shtatë ditësh, në të kundërtën do të kalojnë në procedurë te përmbaruesi, shkruan sot Koha Ditore.
Komuna e Shtimes është duke i përgatitur dokumentet e nevojshme që këto furra të rrënohen brenda pak ditësh nga një kompani e kontraktuar. Aksione të tilla Inspektorati i kësaj komune ka realizuar edhe para dy muajve të cilat kanë rezultuar me rrënimin e pesë furrave të tilla që kanë shkaktuar ndotje në masë të madhe të ambientit, ndërkohë gjatë kësaj periudhe të vitit ndaj pronarëve të furrave janë shqiptuar gjithsej dhjetë procesverbale për gjykatë.