Inspektorati në Prizren ndalon në dy raste zgjerim objektesh pa leje

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 09:07 | Nga

Inspektorët e Komunës së Prizrenit kanë ndërhyrë në dy raste për ndalimin e aktiviteteve ndërtimore, që kishin nisur të zbatoheshin pa leje të organeve kompetente.

Sipas kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, inspektorët kanë reaguar pas denoncimit të rasteve nga qytetarët, shkruan sot “Koha Ditore”. Me këtë rast, Haskuka u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’i respektojnë rregullat ndërtimore, përkatësisht të pajisen me leje të duhura, ngase në të kundërtën nuk do të ketë tolerime për shkeljen e ligjit.

“Praktika, që gjatë ditëve të pushimit, kur nuk punojnë zyrtarët komunalë, të bëhen ndërtime pa leje, është mendësi që së shpejti do t’i takojë të së kaluarës. Pas lajmërimeve që morëm nga qytetarët, nëpërmjet ‘Qendrës së thirrjeve’, Inspektorati ndërhyri në dy raste. Fjala është për operatorët ekonomikë, të cilët kanë bërë tentativë të zgjerimit të objektit pa u pajisur me leje të domosdoshme”, ka bërë të ditur Haskuka, përmes rrjeteve sociale.

Kreu i Komunës ka pohuar se nuk do të lejohet që praktikat e tilla të vazhdojnë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i denoncojnë rastet e tilla edhe gjatë festave dhe pushimit javor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme