Në koordinim me përfaqësuesit e institucioneve Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur Programin Orientues i Sigurisë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunat: Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, raporton Ekonomia Online.
Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, tha se procesi zgjedhor është shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për këtë KQZ-ja është e gatshme të bashkëpunojë me gjithë akterët që janë të përfshirë në këtë proces.
“Procesi i sigurisë së procesit zgjedhor, në vendin tonë ku ende jemi në fazën e shtetndërtimit paraqet një dimension shumë të rëndësishëm”, tha ai.
“Sikurse çdo palë zgjedhje që kemi një takim, i tillë është edhe ky sot që do të na mundësoj që të shprehim bashkëpunimin me secilin akter që ka hise në këtë proces i cili është aksioni më i madh civil”, tha Halimi.
Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, tha se Policia po bën përgatitjet e fundit bashkë me KQZ-në që të monitoroj zgjedhjet në mënyrë që gjithë procesi të shkojë pa probleme.
“Policia e Kosovës së bashku me KQZ-në është duke i bërë përgatitjet e fundit. PK-ja do të jetë e angazhuar gjatë fushatës parazgjedhore për tubimet që do të mbahen. PK-ja do të përkujdeset për materialet zgjedhore, pas përfundimit të zgjedhjeve përcjelljen e materialeve deri në shpalljen e zgjedhjeve”, tha Ahmeti.
“Ditën e zgjedhjeve do të caktojmë hetues policorë që do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen të gjitha situatave më terren”, tha ai.
Laura Pula, koordinatore nacionale nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se edhe këtë vit fokus do të jetë mbrojta e votës në mënyrë që të mos ketë manipulime.
“Ne jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe këtë do ta bëjmë edhe në këto zgjedhje të 19 majit. Ne kemi memorandum bashkëpunimi te miratuar në mes institucioneve relevante për koordinim që vë në efikasitet keqpërdorimin e votës së qytetarëve”, tha Pula.
“Edhe në këto zgjedhje do të angazhojmë prokuror të mjaftueshëm në 4 komuna që do të kujdestarojnë 24 orë dhe kemi staf mbështetës për ruajtjen e votës”, tha ajo.
Pula tha se është arritur që të sensibilizohet opinioni i gjerë që të mos ketë keqpërdorime të votave, përndryshe do të ballafaqohen me ligjin.
“Në të kaluarën ka pas probleme me manipulime të votave, por me instalimin e këtyre veprimeve ne kemi arrit që në një mënyrë të sensibilizohet opinioni se keqpërdoruesit e votave do ballafaqohen me ligjin”, tha Pula.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.
Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.