Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, njëherësh edhe kryesues i Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot takimi i radhës i këtij Këshilli, në të cilin u raportuar rreth nivelit të zbatimit dhe shkeljeve të Ligjit për Kontrollin e duhanit, aktiviteteve në vijim dhe hapave të tjerë me qëllim të fuqizimit të zbatimit të tij.
Ministri Rrahmani tha se duke parë sfidat më të cilat është duke u ballafaquar ky ligj dhe shkeljet e evidentuara në nivele të ndryshme, këtë çështje e ka ngritur në nivel të diskutimeve ën mbledhje të Qeverisë së Kosovës ku edhe është prezantuar një informatë e plotë me aktivitetet e ndërmarra, rolin e institucioneve zbatuese ku janë theksuar ato që kanë qenë më të angazhuara, por dhe ato që nuk janë përkushtuar sa duhet në angazhimin e ligjit.
Në takim u theksua se shkeljet më të mëdha janë në sektorin e gastronomisë, ndërkohë që u kritikuan edhe institucionet publike, për shkelje të evidentuara të ligjit në to.
Në këtë takim të Këshillit u bë e ditur gjithashtu se tashmë është bërë Korniza e një Plani Kosovar për Kontroll të Kancerit me fokus në aktivitetet e ndërgjegjësimit, derisa u theksua se do të kërkohet më shumë përgjegjësi nga institucionet monitoruese dhe zbatuese të këtij ligji.
Në mënyrë të veçantë dhe me qëllim të sigurimit të një ri-përkushtimi për ta zbatuar ligjin, pritet që muajin që vjen në Prishtinë të mbahet një takimi i nivelit më të lartë, me qëllim që autoritetet qendrore dhe ato lokale të tregojnë vendosmërinë e tyre për ta zbatuar ligjin, duke pasur parasysh involvimin e ulët deri tash të autoriteteve lokale në zbatimin e këtij ligji nëpër komunë të Kosovës.
Gjithashtu, aktivitetet do të përcillen edhe me një fushatë përkrahëse për zbatimin e ligjit.
Megjithatë, në këtë takim, u tha se hulumtimi gjithëpërfshirës rreth duhan-pirjes në mesin e të rinjve kosovarë GYTS II, i realizuar nga IKSHP në me përkrahjen e OBSH-së dhe CDC (SHBA), ka nxjerrë rezultate inkurajuese që përkundër shkeljeve, duhan-pirja në mesin e të rinjve ka shënuar rënie, sikurse edhe duhan-pirja pasive si dhe është rritur përkrahja për ligjin në mesin e të rinjve.
Ndërkohë, edhe në këtë takim, u theksua se brenda vitit në Kosovë regjistrohen rreth 2000 vdekje të parakohshme të sëmundjeve të sistemeve të ndryshme të lidhura drejtpërdrejt me duhan-pirjen, duke shkaktuar kështu humbje shpirtërore dhe ekonomike për familjet dhe shoqërinë kosovare.