Instituti GAP: Në gjashtë vitet e fundit janë shpenzuar afër 186 milionë euro pagesa pas vendimeve gjyqësore

Prishtinë | 31 Mar 2023 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Instituti GAP publikoi memon “Shpenzimet e organizatave buxhetore për vendimet gjyqësore”. Instituti GAP, përmes kësaj memo të politikave ka pasqyruar shpenznimet e organizatave buxhetore për vendimet gjyqësore, si dhe çështjet dhe arsyet të cilat i shkaktojnë këto shpenzime viteve të fundit.

Pagesat e institucioneve publike në Kosovë për vendimet gjyqësore dhe përmbarimore janë rritur ndjeshëm përgjatë viteve. Thesari i Kosovës, duke u bazuar në vendimet e gjykatave për vitin 2022, ka realizuar pagesa nga buxheti i organizatave buxhetore në vlerë prej 46.3 milionë euro. Krahasuar me vitin 2021, pagesat janë ulur rreth 5.6 milionë euro. Ndërkaq, shuma e padive gjyqësore drejtuar organizatave buxhetore për vitin 2022 ishte 347 milionë euro apo rreth 110 milionë euro më e lartë së në vitin 2021. Në periudhën 2017-2022, organizatat buxhetore kanë paguar mesatarisht 31 milionë euro në vit për vendime gjyqësore dhe përmbarimore. Në total në gjashtë vitet e fundit janë shpenzuar afër 186 milionë euro pagesa pas vendimeve gjyqësore.

Pagesat për vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, më së shumti kanë ndodhur tek kategoria e investimeve kapitale, duke përfshirë këtu kompensimet për shpronësimet e tokave dhe vonesat në pagesa. Por, rritje e pagesave vërehet edhe tek kategoria “paga dhe shtesa”, kryesisht për shkak të pagave jubilare që burojnë nga kontratat kolektive të punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë. Mjetet e ndara tek rezerva rrjedhëse dalin të jenë të pamjaftueshme për t’i mbuluar pagesat për vendimet gjyqësore dhe përmbarimore. Ndikim në vlerën e lartë të pagesave për vendime gjyqësore dhe përmbarimore del të ketë edhe përfaqësimi jo i duhur nga përfaqësuesit ligjorë të institucioneve publike. Në disa raste, përfaqësuesit e institucioneve publike nga Avokatura Shtetërore nuk ka marrë fare pjesë në seanca gjyqësore, duke mos e mbrojtur kështu interesin e institucioneve publike.

Dëmet të cilat i shkaktohen buxhetit të institucioneve prej vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore janë të shumta. Përveç shpenzimeve të interesit që detyrohen të paguajnë institucionet, në këto raste pamundësohet ose shtyhet edhe realizimi i projekteve të planifikuara, rrezikohen projektet e reja, dëmtohen operatorët e përgjegjshëm ekonomik, etj.

Të ngjashme