Interesim i madh për pasaporta pas liberalizimit – Për dy ditë aplikuan 7 400 qytetarë

Prishtinë | 05 Jan 2024 | 15:06 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë pas liberalizimit të vizave është rritur dukshëm. Në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) thonë se këto për dy ditë të janarit, numri i qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë ka shkuar në 7 mijë e 400, raporton Ekonomia Online.

Kryeshefi ekzekutiv i ARC-së, Blerim Camaj, ka thënë për Ekonomia Online se gjatë vitit 2023, janë pajisur rreth 300 mijë qytetarë, ndërsa vetëm në muajin dhjetor, ky institucion i ka lëshuar më shumë se 30 mijë pasaporta.

“Gjatë vitit 2023 dikund rreth 300 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës janë pajisur me pasaporta. Ndërsa në muajin dhjetor (2-23) shihet një rritje më e madhe. Kështu që në muajin dhjetor i kemi dikund mbi 36 mijë pasaporta të lëshuara”, u shpreh Camaj për EO.

Camaj ka thënë gjatë dy ditëve të fundit të janarit, ARC-ja i ka pajisur me pasaporta 7 mijë e 400 qytetarë.

“Vetëm në këto ditë të janarit do të thotë më 3 dhe 4 janar është dikund rreth 7400 qytetarë që kanë aplikuar. 4 mijë kanë apliku me datën 3 janar, ndërsa 3400 më datën 4 janar”, ka deklaruar Camaj.

Ndërsa, Camaj ka thënë se interesimi i qytetarëve serb për t’u pajisur me pasaporta është në rritje.

Ai tha se edhe numri i qytetarëve serbë që duan pasaporta të Republikës është rritur, por nuk ka shifra. “Sistemi nuk i ndan në serbë e shqiptarë, por në komunat me shumicë serbe, edhe atje janë në rritje kërkesat”, u shpreh ai.

Disa nga qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online thanë se nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë Kosovën.

“Me mujt me nejt këtu boll mirë jem. Hiç askund, le të na vizitojnë ata neve. Djemtë i kam unë këtu e as ata nuk e kanë nijetin me shku. Edhe me i lut nuk dojnë”, u shpreh Elmi Rrahmani.

Ndërsa Agim Hasani tha se as nuk e ka për qëllim lëvizjen në zonën Shengen.

“Jo, sepse skam nevojë, më mirë e kam në Kosovë, me vizitu një e dy ditë. Nuk jemi pasisë me pasaporta, as nuk e kemi nijet. Djali i madh më ka shkua dje, e më kthehet”, tha Hasani.

E Avdullah Ibishi nuk ka fort interesim për t’u pajisur me pasaportë.

“Jo as pasaportë s’kam. Nuk dua e kurrë s’e kam nxjerr deri tash e as tash nuk dua. As fëmijët s’kanë qejf me vizitu jashten, shkojmë në Shqipëri”, u shpreh ai.

Të ngjashme