Interpretimi teleokratik i Asociacionit

Prishtinë | 23 Sht 2023 | 11:36 | Nga Afrim Kasolli

Në mendimin juridik ekziston një doktrinë e quajtur teleologjike. Sipas Robert Schutze dhe shumë teoricienëve të tjerë, shpeshherë marrëveshjet interpretohen në funksion të qëllimeve se pse janë nënshkruar.

Nën dritën e kësaj fryme legale mund të interpretohet edhe Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pra cili ishte qëllimi i saj? Me anë të themelimit të këtij entiteti Bashkësia Ndërkombëtare kishte për qëllim ta shtronte rrugën e integrimit të pjesës veriore në shtetin e Kosovës. Në këtë mënyrë, do të shuheshin strukturat ilegale që e kontrollonin atë pjesë dhe gradualisht shteti i Kosovës do ta shtrinte autoritetin e tij juridik dhe legal. Sepse çdo opsion tjetër konsiderohej më i rrezikshëm. Për më shumë kalkulohej se do të humbej veriu përfundimisht. Madje, nuk është e rastësishme që formimin e tij në fillim kryesisht e “kishin kundërshtuar serbët e pjesës veriore, sepse ata nuk ishin të gatshëm për këtë kompromis”. Në funksion të këtij qëllimi filloi funksionalizimi i gjykatave, u mbajtën zgjedhjet lokale edhe në komunat veriore, etj etj.

Mirëpo, pala kosovare nuk ia arriti që të funksionalizojë këtë bashkësi. Arsyet dihen nga të gjithë ne. Kosova për shkak të kësaj teme dhe Demarkacionit me Malin e Zi, thuajse ishte në prag të luftës civile. Ndër më të zëshmet në kundërshtimin e këtij projekti pa dyshim se ishte Lëvizja Vetëvendosje. Sepse sipas këtij subjekti politik, në vend të kësaj metode për të integruar serbët, shteti i Kosovës duhet ta hartojë një strategji tjetër të integrimit të serbëve. Atë nga poshtë-lart. Pra duhej zhvilluar një dialog më serbët lokalë në vend të dialogut me drejtuesit e shtetit serb. Dhe kështu Kosova nuk do të kishte nevojë ta themelonte Asociacionin, sepse kjo ishte kërkesë e Beogradit dhe jo e serbëve të Kosovës. Dyshimet ndaj këtij projekti u shtuan edhe kur ish-presidenti Thaçi, që edhe ishte nënshkrues i Marrëveshjes së parë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, filloi të fliste gjithnjë e më shumë kundër këtij entiteti, e në favor të idesë së korrigjimit të kufijve, temë kjo që nuk e elaboroi asnjëherë si duhet.

Pra gradualisht në skenën politike të Kosovës u imponuan tri opsione për zgjidhjen e problemit të veriut. Ai i Vetëvendosjes për dialogim me serbët lokalë. I dyti i ish-presidentit Thaçi. Dhe i treti ai Asocacionit që e mbronte bashkësia ndërkombëtare si garantuese e tij. Mirëpo, dy të parat tashmë kanë dështuar. Me të ardhur në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, serbët lokalë si shumicë vetëm sa janë larguar edhe më shumë nga komunikimi me shtetin e Kosovës dhe jo që është vendosur ndonjë dialog me ta. U zhbënë edhe ato institucione shtetërore që u themeluan ndër vite në atë pjesë. Mbajtja e zgjedhjeve të fundit lokale në komunat veriore i dha goditjen fatale këtij projekti. Bilanci i tyre është vetëm ngujimi lapidar i Lulzim Hetemit në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, që si një eremit i pashembullt ka dëshmuar respektin e tij për bukuroshet.

Në këtë kontekst, Bashkësia Ndërkombëtare i është rikthyer me të madhe kërkesës ndaj Kosovës për themelimin e Asocacionit. Në këtë drejtim më të zëshmit janë amerikanët. Sepse sipas tyre ku opsion është i vetmi që ka mbetur si mundësi që Kosova ta ruaje pjesën veriore si pjesë të integritetit të saj territorial. Çfarë edhe ishte qëllimi juridik i kësaj marrëveshje si dhe obligimi që shteti i Kosovës e kishte marrë si ndaj serbëve të Kosovës ashtu edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Se si do të shkojnë gjërat mbetet të shihet…

Të ngjashme