Investohet në përmirësimin e infrastrukturës në Podujevë

Prishtinë | 14 Sht 2016 | 15:11 | Nga

Kanë filluar punimet në zgjerimin e segmentit të parë të rrugës Besi-Podujevë në drejtim të Prishtinës. Segmenti i parë i kësaj rruge, do të ketë katër korsi, trotuar dhe ndriçim dhe do të ketë një gjatësi prej 4.3 kilometrash me një vlerë prej 3.9 milionë eurosh.

Në këtë komunë po ashtu u përurua asfaltimi i rrugës Pollatë-Reçicë (te kulla Demë Ahmeti) me gjatësi prej 8.7 kilometrash dhe me vlerë rreth 1.5 milion euro. Të dy projektet investohen nga Ministria e Infrastrukturës.

Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, uroi kryetarin Veliu dhe banorët e komunës së Podujevës për këto projekte me rëndësi të madhe, të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës.

“Besoj që sot është një ditë e madhe për banorët e Podujevës, sepse po fillojmë një ndër projektet më të mëdha në Republikën e Kosovës, projekti i zgjerimit të rrugës Podujevë-Besi deri në Prishtinë. Sot po fillojmë vetëm segmentin e parë, kurse segmentet e tjera do t’i vazhdojmë në muajt në vijim. Kjo rrugë do të ketë katër korsi, trotuar, ndriçim, që do të thotë se po ndërtojmë një rrugë me standarde evropiane”.

“Ne, sot, së bashku me kryetarin, zëvendësministrat, deputetët e pranishëm dhe bashkëpunëtorët e tjerë përuruam përfundimin e punimeve të rrugës Pollatë-Reçicë te kulla Demë Ahmeti, një projekt me gjatësi prej 8.7 kilometrash dhe me vlerë rreth 1.5 milionë euro. Ndërsa projekti tjetër, segmeti i parë, ka një gjatësi prej 4.3 kilometrash dhe ka vlerën prej 3.9 milionë eurosh. Fazat e tjera do t’i vazhdojnë në muajt në vijim”, theksoi ministri Zharku.

Ndërsa, kryetari Veliu e falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për investimet e bëra në infrastrukturën e komunës së Podujevës dhe uroi banorët e kësaj komune për këtë ngjarje shumë të veçantë.

“Sot po fillon zgjerimi i rrugës, projekt që ne si qytetarë, banorë, por edhe si udhëheqje e Komunës e kemi pritur gjatë. Me këtë rast e falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë e Infrastrukturës për mjetet e ndara. Besoj se me rregullimin e kësaj rruge do të krijohen kushte më të mira për qarkullim. Do të zvogëlohet numri i aksidenteve me fatalitet, që fatkeqësisht në këtë rrugë ndodhin çdo vit. Gjithashtu do të kurset koha, mjetet financiare dhe do të lehtësohet qarkullimi i njerëzve, bizneseve etj. Shpresojmë që punëkryesi do t’i kryejë punët sipas kontratës. Urime të gjithëve”, theksoi kryetari Veliu.

Rikonstruktimi i rrugës regjionale R126, segmenti Pollatë – Reçicë (te kulla e Demë Ahmetit) dhe zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti rrethrrotullimi Besi-Podujevë, Loti 5 janë investim i Ministrisë së Infrastrukturës.

Përveç këtyre projekteve Ministria e Infrastrukturës gjatë këtij viti në komunën e Podujevës do të investojë edhe në këto projekte:

Asfaltimi i rrugës për nevojat e Burgut të Sigurisë së lartë në Gërdoc;

Asfaltimi i rrugëve në qytetin e Podujevës;

Asfaltimi i rrugëve në fshatrat: Dobërdol, Majac, Merdar, Kushevicë, Batllavë-Dyz dhe Herticë-Surdullë;

Asfaltimi i Rrugës Ballaban – Orllan.

rruga besi - prishtine1
Displaying _IDJ3269.JPG

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme