iPhonët e sivjetëm mund të kenë mbushës USB-C

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Apple po kalon ngadalë në USB-C në kuadër të linjës së vet komplete të pajisjeve. Të gjithë MacBookët e kompanisë tashmë e kanë menjanuar USB 3.0 dhe DisplayPort, në vend të të cilave tani përdoren Thunderbolt 3 dhe USB-C. Megjithatë, kjo e ka krijuar një problem pasi që përdoruesit e iPhone dhe iPad nuk mund t’i lidhin dhe t’i mbushin pajisjet e tyre përmes MacBookëve pa adapterë, raporton Ubergizmo.

Kompania është marrë deri diku me këtë problem përmes modeleve iPad Pro 2018, të cilat kanë kaluar në USB-C, dhe si duket Apple do ta zbatojë të njëjtin ndryshim në iPhone. Kjo sugjerohet nga informuesi ChargerLAB, i cili thekson se modelet e sivjetme të iPhone mund të vijnë me mbushës USB-C.

Megjithatë, duhet të theksohet se vetëm mbushësi do të jetë USB-C, ndërsa iPhonët do ta përdorin ende portin Lightning, shkruan KOHA Ditore. Kjo do të thotë që Apple me siguri në pako do ta ofrojë USB-C në kabllon Lightning së bashku me vetë mbushësin USB-C, duke u mundësuar përdoruesve t’i lidhin pajisjet e tyre iPhone me MacBookët, pa pasur nevojë për adapterë dhe pajisje shtesë.

Janë shfaqur thashethemet se Apple eventualisht do të mund ta menjanojë edhe portin Lightning në favor të portit USB-C në iPhone, siç ndodhi me iPadët. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndodhë në të vërtetë këtë vit apo mbase vitin tjetër.

Të ngjashme