Shumë prej kandidatëve që nuk arritën ta marrin mandatin e deputetit u zhgënjyen pas publikimit të rezultateve të para nga KQZ-ja. Derisa një numër i vogël i tyre e pranuan rezultatin, shumë të tjerë akuzuan bashkëpartiakët e tyre për vjedhje të votave.
Zgjedhjet e 6 tetorit ishin të befasishme për shumë ish-deputetë, të cilët i hynë garës, por nuk ia dolën në krye.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse kandiduan për deputetë Ismajl Kurteshi dhe Sami Kurteshi nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës mandatin e deputetit nuk kanë arritur ta fitojnë disa ish-deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët synonin edhe një mandat.
Nga kjo parti nuk arritën të rizgjidhen Ismet Beqiri, Besa Gaxherri, Imet Rrahmani, Naser Rugova dhe Mirjeta Kalludra.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, edhe pse ishte në garë për një mandat tjetër, deputeti i përjetshëm i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti nuk e mori edhe një mundësi të shtatë nga populli për t’i përfaqësuar.
Nga kjo parti nuk arriti të rizgjidhej as Safete Hadërgjonaj, Evgjeni Thaçi, Fatmir Xhelili, Andin Hoti, Hajdar Beqa, Luljeta Veselaj e Xhevahire Izmaku.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi dhe Muharrem Nitaj nuk do të vazhdojnë të jenë përfaqësues të popullit në legjislativin e ardhshëm.
Sipas rezultateve të deritanishme edhe Donika Kadaj rrezikon të mos bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës. Nga 12 deputetët e PSD-së që ishin deputetë në legjislaturën e kaluar, në këto zgjedhje sipas rezultateve aktuale asnjëri prej tyre nuk ka arritur të rizgjidhet deputet, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ndërsa sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, koalicioni Nisma – AKR nuk ka arritur ta kalojë pragun, kësisoj të gjithë deputetët e këtyre dy partive do të mungojnë në përbërjen e re të Parlamentit nëse nuk ndërron asgjë deri në numërimin e votave me kusht, të votave të diasporës dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta.
Pjesë e Kuvendit nuk do të jetë as ish-deputeti Labinot Tahiri, i cili ishte bërë pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së, përderisa në këtë parti kishte aderuar pak para zgjedhjeve.