Ish-deputeti i Kuvendin të Kosovës, në legjislaturën e katërtë, Jeton Svirca, synon prapë të rikthehet në Parlament.
Svirca që në legjislaturën 2010-2014 ishte deputet i Partisë së Drejtësisë, tashmë këtë pozitë po e synon përmes partisë së Fatmir Limajt.
Ai thotë për EkonomiaOnline se motivi kryesor për rikandidim për deputet është mundësia për kontribut ndaj shtetit dhe qytetarët e tij.
“Unë kam qenë deputet në legjislaturën e katër të Kuvendit të Kosovës, pas një pauze jam rikthyer prapë në politikë, në Nismën Socialdemokrate, me qëllim që t’i shërbej sa më shumë vendit, shtetit dhe qytetarëve. Motivet e mija janë këto se duke u bazuar në kërkesën e familjarëve, shokëve e kolegëve të punës për t’u kthyer në politikë, ku kam gjetur një ngrohtësi të veçantë në Nisma. Jam vendosur në shërbim të popullatës duke shërbyer përmes mekanizmit në politikë”, thotë ai.
Svirca, që në vitin 2010 ishte edhe deputeti më i ri i Kuvendit të Kosovës, thotë se ka marrë përvojën e duhur për të shërbyer në të mirë të qytetarëve.
Rinia, sipas tij është motivi kryesor që i ka hyrë kësaj gare.
“Në vitin 2010 kur jam zgjedhur 26 vjeçar, tani jam 34 vite dhe besoj se jam pjekur edhe më shumë dhe jam ngritur profesionalisht për tu shërbyer vendit përmes aftësive të mija. Në atë kohë kam kontribuar për çështje të te rinjtë respektivisht për studentët. Si rezultat i kontributit tim në Komisionin për Arsim dhe diskutimet e mija, kryeministri i atëhershëm pati bërë zbritje te pagesat e semestrit për të gjithë studentët e po ashtu për studentët që kanë rrjedhur nga e njëjta familje. Fokusi im është përsëri rinia, por duke mos lërë anash edhe shtresat tjera të popullatës e që nga politika që ne përfaqësojmë si subjekt politik mirëqenia sociale do të jetë fokusi ynë”.
Svirca që është edhe nënkryetar i Degës së Nismës Socialdemokrate në Prishtinë, thotë se kjo parti është rritur dukshëm në kryeqytet, raporton EkonomiaOnline.
E kjo sipas tij, si rezultat i punës së mirë të kryetarit të saj Fatmir Limaj.
“Nisma nën udhëheqjen e Fatmir Limajt, ka pasur një zhvillim të madh në këtë periudhë, ne kemi pasur rritje dhe shtrirje të madhe në Prishtinë dhe në gjithë vendin në veçanti. Kemi themeluar 37 nëndegë në të gjitha lagjet e qytetit dhe fshatrave të Prishtinës. Programi i Nisma-s është përfaqësuar mjaftë mirë nga qytetarët dhe ne besojmë se Nisma në Prishtinë është një faktor shumë i rëndësishëm politik, një fuqi politike e cila do ta dëshmoj tani në këto zgjedhje”, thotë ai.
Ish-deputeti Svirca nuk po shprehet i kënaqur me punën e dy legjislaturave të kaluara.
Thotë se deputetët nuk adresuan kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, por të klaneve partiake.
“Fatkeqësisht vlerësimi për legjislaturat e kaluara nuk është i mirë, i dimë proceset politike që ka kaluar vendi dhe me sfidat që është ballafaquar. Personalisht si deputet nuk kam qenë i kënaqur me përformancën e Kuvendit të Kosovës. Shpresoj që kjo legjislaturë pavarësisht sfidave të mëdha që do t’i ketë. Besoj fuqishëm se do te jetë më në nivel dhe t’i përgjigjet kërkesave të shtetit dhe qytetarëve. Deputetët duhet të jenë kush jenë sepse qëllimi kryesor është përparimi i shtetit dhe jo në fokus interesi grupor apo politik por interesi i përgjithshëm shtetëror”, thotë ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 6 tetor, ndërsa Nismasocialdemokrate do të garojë në një koalicion me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe Partinë e Drejtësisë, të Ferid Aganit.