Remo Freuler nuk e meritoi kartonin e kuq për ndërhyrjen ndaj Ferland Mendy në humbjen e Atalantës 1:0 kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve të mërkurën, sipas ish-gjyqtarit të njohur spanjoll, Juan Andujar Oliver.
Përjashtimi i Freuler në minutën e 17-të të ndeshjes së parë të 1/8 së finales mes Atalntës dhe Realit në Bergamo ngriti polemika të mëdha mbrëmjen e së mërkurës dhe Andujar Oliver vlerëson se vendimi i gjyqtarit gjerman Tobias Stieler ishte i tepruar, transmeton Gazeta Express.
Gjyqtari gjerman e vlerësoi rastin si mundësi të pastër shënimi, megjithëse dukej se Mendy po shkonte anash e jo në drejtim të portës dhe po përgatitej për harkim. Për më tepër Freuler nuk ishte lojtari i fundit kur e rrëzoi francezin.
Andujar Oliver, tani ekspert i referimit në të përditshmen spanjolle MARCA, e quan të padrejtë këtë vendim dhe thotë se kartoni i verdhë do të mjaftonte.
“Gjyqtari mendon se ai e rrëzoi Mendyn në një rast të pastër shënimi. Por për mua, gjyqtari e teproi”, tha Andujar.
“Lojtari i Real Madridi nuk e pati madje topin nën kontroll të plotë dhe kartoni i verdhë në këtë rast do të ishte më i drejti”, shtoi ai.