Ish-gruaja police që njoftoi vdekjen e dyshimtë të ish-burrit në Pejë, ishte dhunuar fizikisht nga i dashuri që është rreshter

Prishtinë | 04 Dhj 2022 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë në qytetin e Pejës është gjendur pa shenja jete 47-vjeçari, Blerim Bajraktari. Ai është gjetur i vdekur në një shtëpi rrugën “Shtjefën Gjeçovi”. Rastin në polici e kishte lajmëruar ish-bashkëshortja e tij, Filloreta Kastrati. Policia ka thënë se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Filloreta Kastrati pjesëtare e Policisë së Kosovës, është ish-bashkëshortja e Blerim Bajraktarit i cili ndërroi jetë mbrëmë. Rastin për vdekjen e ish-burrit e kishte lajmëruar vetë Kastrati.

Emri i Filloreta Kastratit është i njohur qysh më herët. Në gusht të këtij viti, ajo ka folur për një rast dhune. Rreshteri i policisë në Pejë, Senad Hamziç me të cilin ajo ishte në një lidhje dashurie, kishte ushtruar dhunë ndaj saj, shkruan Insajderi.

Ky rast kishte ndodhur në mëngjesin e hershëm të 14 majit. Ndërsa tre muaj më vonë Hamziç u përballë me një aktakuzë nga Prokuroria, me veprën penale të inicuar ndaj tij për “lëndim të rëndë trupor”.

Në një rrëfim, Filloreta Kastrati kishte treguar ngjarjen e cila tronditi opinionin disa muaj më parë. Zyrtarja policore theksoi se Hamziç ka “lidhje të forta” në organet e rendit dhe ligjit, derisa dyshon se rreshteri nuk do të vuajë “dënimin e merituar” për dhunën e ushtruar ndaj saj. Kastrati thotë se rreshteri Hamziç e kishte goditur atë me shqelma në fytyrë.

Sipas saj, motivi i ngjarjes ishte xhelozia. Po ashtu, ajo përmendi dyshimet që Hamziç kishte ngritur ndaj saj për një lidhje me një person tjetër.

“Ka qenë ora një i natës dhe ma ka kërku telefonin dhe të njëra kartelë e kisha numrin e një mjeshtri që më ka ndihmuar shumë; që ma ka lye shtëpinë. Ai ma murrë telefonin dhe e thirri atë personin dhe me ka shti mu me folë, dhe me ka thënë që ti më ke tradhtuar me të. Numrin tim ai personi e njeh, por ai e ka thirr me kartelën e parë dhe nuk i ka dalë numri jem. Në ato momente ka filluar me më godit dhe ia kam kërkuar telefonin…. Më ka shti me zor në makinë dhe më ka dërgu kah rruga e Fidanishtës [në Pejë]. Gjatë rrugës nonstop ja kam frenuar makinën me frenin e dorës, dhe aty një herë më goditi me kokë”.

FOTO: Blerim Bajraktari

“Dhuna ka filluar në veturën e rreshterit Senad Hamziç, në rrugën “Papa Klementi”, në Pejë”.

“Nonstop me ka sjellë me shqelma në fytyrë, dhe më ka ngreh zhag dhe armën nuk e kam pasur me vete dhe për fat të mirë që nuk e kam marr se në çfarë gjendje kam qenë kish muajt me ardhë deri te ma e keqja”.

“Më ka dërguar të pompa, dhe kam hyrë në banjon e femrave dhe e kam heq maicën e gjakosur. Më ka mbajt deri në ora 04:22, dhe si jam ndarë prej tij kam shkuar në drejtim të Spitalit”.

Mes tjerash ajo ka treguar, se i posedon të gjitha faktet dhe mesazhet pas dhunës së ushtruar nga rreshteri Hamziç.

Filloreta Kastrati, nënë e tre fëmijëve, ka rrëfyer se edhe pas ushtrimit nga Hamziçi, ai ka tentuar të bijë në kontakt me të por që kësaj here përmes një shokut të tij.

Megjithatë, Kastrati ka treguar se tashmë ka vetëm një masë që është ende në fuqi ndaj rreshteri Hamziç.

Ajo ka treguar se deri në fund të shtatorit, është vendosur në fuqi një masë e sigurisë për mosafrimin e Hamziqit në një distancë prej 20 metrave afër saj.

E krejt frika qëndron te Kastrati, pasi që thotë se ka dëgjuar zëra se Hamziç do të rikthehet në punë, derisa kjo po i duket e padrejtë.

Kastrati, tutje ka pohuar se CD-në ku shihet Hamziç duke ushtruar dhunë brutale, ndodhet në prokurori, derisa ka thënë se nuk janë marr masat e menjëhershme.

Ndryshe, më 16 maj ishin publikuar pamjet e sulmit fizik të rreshterit policor, Senad Hamziç ndaj Filloreta Kastrati.

Pamjet e shfaqën Hamziçin brenda një veture teksa sulmon fizikisht zyrtaren e Policisë së Kosovës. Me rastin e publikimit të videos ishte arrestuar rreshteri Hamziç, ku të njëjtit i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjykata kishte vendosur masë sigurie ndaj Hamziçit.

Të ngjashme