Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla, e ka quajtur klub politik, listën ‘’Guxo’’ të Vjosa Osmanit, së cilës i përket Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, që së fundi mori vëmendje pas një interviste në një gazetë zvicërane.
Syla ndërsa iu referua qasjes së saj siç e quan anti-UÇK, thotë se Gërvalla, aktualisht i përket një familjeje politike të tre njerëzve që përbëjnë trekëndëshin e luftës së egër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Klan Kosova.
”Nëse është aq dashamirëse ndaj UÇK-së, përse nuk mbrojti UÇK-në dhe vlerat e saj në OKB gjatë kohës së raportimit”.
”Thuhet një fjalë e urtë popullore ‘’Nuk mund të ketë tym pa zjarr’’. Pse Donika Gërvalla, nuk del në mbrojtje të njerëzve që janë në Hagë sot. Jo për t’i liruar të shfajësuar, por pse ajo nuk është në gjendje të paraqes një kërkesë që ka kërkuar Gjykata e Apelit të sigurohet vendi i tretë për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak”.
”Nëse ajo e do UÇK-në, ajo ka pas shanse dhe jo çdo dy ditë të prodhojë lajme t’i riciklojë intervistat e saj”.
”Kjo nuk është asgjë tjetër pos ai rrëfimi politik i aktakuzës që rëndon katër liderët që aktualisht janë të burgosur në Hagë. Qind për qind ky është ai narracioni i asaj që nga LPK-ja kalon te UÇK-ja, dhe nga UÇK gjoja tek organizata…”.
”Një gjë duhet pasur parasysh që nuk mund ta luajmë rolin e polifikimit të brendshëm në këto gjëra, që është plotësisht narracion që shkon në favor të demonizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në favor të rrëfimeve të gjyqeve serbe të Danica Marinkoviqit, dhe me të gjitha ato aktakuza dhe gjoja fakte që ka grumbulluar Carla del Ponte dhe përmes Dick Marty sot ka arritur që krerët kryesorë, themeluesit e shtetit sot t’i vënë në bankën e të akuzuarit”.
”Ky narracion është narracion i Beogradit. Ky narracion është i klubit politik që sot dominon Kosovën. Sepse Donika Gërvalla, e bija e Isuf Gërvallës aktualit i përket familjes politike të tre njerëzve që vërtetë e përbëjnë trekëndëshin e luftës së egër kundër UÇK-së”.
”Ne kemi një garniturë, që për herë të parë Kosova në tri institucionet kryesore, dominon fryma anti-UÇK. Dhe ky është aspekti më tragjik i kombit tonë”.
”Përveç Shqipërisë zyrtare, në botën shqiptare në institucione, ne nuk kemi mbrojtje institucionale të UÇK-së”.
Sipas Sylës, nëse kryediplomatja kosovare është pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet dorëhequr nga Qeveria Kurti dhe lista politike e Presidentes Vjosa Osmani.
”Nëse Donika Gërvalla nuk është anti-UÇK, duhet të japë dorëheqje nga Qeveria Kurti”.
”Duhet të hiqet nga lista politike e Vjosa Osmanit, e cila karrierën e vet e ka ndërtuar duke luftuar trashëgiminë politike të UÇK-së dhe kujton që më 14 shkurt ka filluar shteti i Kosovës dhe ndërtimi i këtij vendi”.