Ish-punëtorët “IMN Kosova” protestojnë para AKP-së, kërkojnë 20-përqindëshin

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 10:55 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-punëtorët e ndërmarrjes së prodhimit të bllokave “IMN Kosova” kanë protestuar para Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me kërkesë për kompensimin e 20-përqindëshit, i cili iu takon pas privatizimit të ndërmarrjes.

Katër protestues janë pranuar në takim nga zyrtarë të AKP-së.

Pas takimit, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Hajdini, tha për medie se kërkesat e punëtorëve janë me të drejtë dhe është dashur të kryhen që moti.

“Kërkesat e punëtorëve janë legjitime, këto kërkesa që dhjetë vjet është dashtë të kryhen, kur ka shkuar në likuidim organizata. Megjithatë ky është defekti i Komunës dhe i Qeverisë, që nuk ua ka dhënë 20% punëtorëve”.

Hajdini tregoi edhe një vendim të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, në vitin 2010, kur prona ka kaluar në interes të Komunës, dhe sipas tij atë ditë është dashur të paguhen punëtorët.

Hajdini tha se AKP-ja është e gatshme për zgjidhjen e problemit, por mjetet duhet që t’i japë Komuna.

“Pasi Komuna nuk i ka paguar deri tani, dhe punëtorët kanë ardhur pranë AKP-së, ne morëm si obligim që urgjentisht të takohemi me kryetarin e Komunës, përfaqësuesit e Sindikatës, ku do të jem edhe unë, si përfaqësues i Bordit por edhe i punëtorëve në nivel të Republikës së Kosovës, bashkë me kryetarin e Bordit”.

Hajdini tha se protestat nuk do të ndalen nëse nuk plotësohet kërkesa, sepse po keqpërdoret djersa e punëtorëve dhe e drejta e tyre.

Sipas tij, janë rreth 4 milionë e 600 mijë euro që i takojnë punëtorëve.

Ndërsa, Xhemajl Islami, ish-punëtor i kësaj ndërmarrjeje tha për Ekonomia Online se u kanë premtuar se do t’i kompensojnë, por kjo nuk është bërë prandaj dhe kanë dalë për të kërkuar të drejtën e tyre.

“Kam punuar 33 vjet në Cigllanë, na kanë qitë, nuk na kanë dhënë rroga. Po thonë që është shitur qe 10 vjet, gati në mënyrë të fshehur. Na kanë thënë me i plotësuar dokumentet, i kemi plotësuar por para nuk ka. Ne kemi dal me protestuar për të drejtat tona”, është shprehur Islami.

Sipas protestuesve, janë 251 ish-punëtorë të kësaj kompanie të cilëve u takon ky kompensim.

Të ngjashme