“Islamic Relief” ndan 50 mijë € për bizneset e reja, nëntë të rinj përfitojnë grante

Prishtinë | 15 Nën 2022 | 11:39 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Islamic Relief” në Kosovë, në kuadër të projektit të edukimit dhe ndërmarrësisë në një ceremoni ka bërë shpërndarjen e granteve në vlerë prej 50 mijë euro, raporton Ekonomia Online.  Nga kjo përkrahje kanë përfituar nëntë të rinj e të reja për fillimin e bizneseve të tyre.

Jetmira Zeka, koordinatore e projekteve në “Islamic Relief Kosova”, ka sqaruar se fillimisht kanë aplikuar 100 persona, nga të cilët 28 janë trajnuar për 2 muaj rresht nga ekspertë të fushës, e më pas janë përzgjedhur nëntë më të suksesshmit, të cilët edhe kanë përfituar grante.

Drejtori i Degës së “Islamic Relief” në Kosovë, Mohamed Soliman, tha se do të vazhdojnë të përkrahin të rinjtë në hapjen e bizneseve të reja.

Soliman u shpreh se kanë hasur në ide shumë interesantë nga të rinjtë për bizneset e tyre.

“Ju faleminderit që jeni me ne në këtë ditë të rëndësishme për shpërndarjen e këtyre granteve për përfituesit, do të vazhdojmë më përkrahje”.

“Jam shumë i lumtur që po shpërndajmë këto grante në kuadër të programit për edukim dhe ndërmarrësi në përkrahje të të rinjve për hapjen e bizneseve të reja”.

“Dua të iu përgëzojë ngase ka pasur ide, shumë ide të mira e interesante dhe kemi përzgjedhur më të mirat. Dua të falënderoj dhe përgëzoj përfituesit dhe u them që duhet të vazhdojnë”.

Albulena Gashi-Hajrullahu, menaxhere e programeve për Kosovë dhe Shqipëri, tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë përfitues të vazhdojnë me zhvillimin e bizneseve të tyre.

“Sot po celebrojmë eventin për shpërndarjen e granteve. Për ne është me rëndësi që secili prej jush me vazhduar idetë e juaja”.

“Dua të ju shohë duke u rritur sa më shumë dhe suksese më tutje; të shohë edhe punëtorë shtesë në bizneset e juaj. Ne kemi me vazhduar me ide të tilla me përkrahë rininë tonë”.

Të rinjtë janë trajnuar nga profesoresha e UP-së në Fakultetin Ekonomik, Vjosa Fejza-Ademi.

Ajo me këtë rast tha se ka qenë privilegj të punojë me të rinjtë e këtij programi duke theksuar se tri biznese veçse kanë filluar punën.

“Për mu ka qenë një privilegj shumë i madh me qenë pjesë e këtij program. Qysh nga fillimi kur më kanë përzgjedhur si trajnere që të bashkëpunoj me këta të rinj ka qenë më e rëndësishme se çka do të përfitojnë nga ky trajnim e jo çka do të përfitoj unë për shkak se tash jam profesoreshë në Fakultetin Ekonomik në UP”.

“Sfidat të mëdha janë kur të përfundojnë fakultetin se ku do ‘të kapen’, nuk kanë eksperiencë, nuk ka kush t’iu besoj ideve tëtyre. Por këta të rinj kanë punuar me vullnet shumë të madh. Unë me këta të rinj kam pasur hezitime sepse nuk kanë qenë në fusha të njëjta, mirëpo me punë të vazhdueshme t’ia dalin. 3 biznese veçse kanë filluar dhe po më bën të ndihem shumë mirë suksesi i tyre”.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, nga e cila komunë kanë përfituar tre persona, tha se “Islamic Relief” në Kosovë ka një staf të mrekullueshëm dhe që bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke i përkrahur në arsim e fusha të tjera.

Ai më tej ka sqaruar se me “Islamic Relief”, Komuna ka të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që kalon vlerën e 300 mijë eurove.

“Ndihem i nderuar që jam bashkë me juve. Ne ekonomi nuk ka kurgjo falë. Nëse merr diçka falë kjo dikujt i kushton. Ky kontribut ka domethënie të madhe siç është ndërmarrësia. Islamic ka një staf të mrekullueshëm që bëjnë një punë të jashtëzakonshme”.

“Islamic vazhdon të kontribuojë në fushën e arsimit. Vazhdimisht ka përkrahur edhe shëndetësinë. Qëllimi është t’i adresojmë sfidat e ekonomisë siç është deficiti i lartë tregtar. Investimet në këto fusha janë që të zëvendësohen importet”.

“Ne kemi nënshkruar memorandum që ka kalon vlerën e 300 mijë eurove. A ka ma mirë t’i shoh këta të rinj e të reja me ide, por që iu mungon financimi”.

Edhe Ferit Idrizi, kryetari i Vushtrrisë, falënderoi Islamic Relief në Kosovë për përkrahen në fushën e shëndetësisë, raporton EO.

Ai foli për marrëveshjet e nënshkruara duke përmendur ndërtimin e një tregu për prodhuesit që ka vlerën 600 mijë euro si dhe subvencionimin e 200 serrave që kap vlerën e 300 mijë eurove.

“Përvojat tona të bashkëpunimit janë të shkëlqyeshme dhe shumë të afërta me drejtorin Soliman. Kemi bashkëpunim në fushën e shëndetësisë”.

“Para disa muajsh kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëfinancimit për ndërtimin e një tregu për prodhuesit vendor që ka vlerën 600 mijë euro. Projekt tjetër që keni nënshkruar është në fushën e bujqësisë për subvencionimin e 200 serrave që kap vlerën 300 mijë euro”.

Natyra Gllobari, përfituese e grantit tregoi për eksperiencën për hapjen e biznesit, duke sqaruar se qëllim kishte që ta ndihmonte familjes së saj.

Ajo tha se ndihet me fat që është pjesë e përfituesve të grantit që kap vlerën e 5 000 mijë euro.

“Jam qytetare e komunës së Mitrovicës dhe studente ne UP. Me pak fjalë po e tregoj eksperiencën time në këtë trajnim si edhe rrugën që ndoqa deri këtu. Diapazoni i mendimeve të mia viteve të fundit po më asocionte për hapjen e një biznesi”.

“Si studente mendoja se si do të mund të kontribuoja për familjen time. Asnjëherë nuk e mendova që ideja ime do të hynte në veprim. Prandaj jam me fat kur dëgjova për organizatën ‘Islamic Relief’ dhe idetë e mia i shndërrova në realitet. Jam shumë me fat që rruga më sjelli deri këtu të pranoj grantin që do të na hap rrugë drejt një biznesi të ri. Po ndihem krenare për punën që kemi bërë me motrën time”.

Islamic Relief Worldwide (IRW) është organizatë ndërkombëtare humanitare e themeluar më 1984 në Birmingham të Britanisë së Madhe, ku edhe e ka qendrën kryesore.

Organizata është prezentë në rreth 45 vende të botës, e po ashtu operon me zyrën e saj edhe në Kosovë që nga viti 1999, duke qenë një nga organizatat e para të cilat depërtuan për ta ndihmuar, rindërtuar dhe zhvilluar vendin.

Në Kosovë, Islamic Relief ka implementuar projekte të natyrave emergjente, shëndetësore, edukative, infrastrukturore, etj., duke u përqendruar më shumë në ndihmesën e familjeve skamnore, atyre me jetimë, familjeve nën asistencë sociale si dhe familjeve me fermerë për të zhvilluar mirëqenien ekonomike.

Të ngjashme