Islanda kërkon kualifikimin përballë Kroacisë së kualifikuar

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 11:41 | Nga

Asgjë më pak se fitorja nuk do të mjaftojë për Islandën nëse ajo dëshiron të përsërisë suksesin e Euro 2016, duke kaluar në fazën nokaut në pjesëmarrjen e parë në botëror. Por arritja e fitores do të jetë sfidë e vërtetë ndaj përfaqësueses shumë të njohur për Islandën.

Kroatët, që kanë dominuar plotësisht Argjentinën duke fituar 3:0, tashmë janë në fazën nokaut dhe do të mbeten në pozitën e parë me fitore apo barazim ndaj Islandës në Rostov Arena, të martën (sot, 20:00). Kroatët me shumë gjasa do të mbesin në vendin e parë edhe nëse pësojnë disfatë, por disfata nuk përmendet në kampin e tyre, shkruan Koha Ditore.

Islanda në ndeshjen e parë në botëror barazoi ndaj Argjentinës e më pas pësoi 2:0 nga Nigeria. Kjo do të thotë se Islandës i duhet fitorja ndaj Kroacisë dhe po ashtu që Nigeria të mos fitojë ndaj Argjentinës. Po ashtu, duhet të ketë goldallim më të mirë se Nigeria apo Argjentina. Një fitore e Nigerisë do të dërgonte në shtëpi islandezët dhe argjentinasit.

Kroatët e islandezët njihen mjaft mirë mes vete, pasi janë përballur shpesh në vitet e fundit.

Kroacia kryeson në grup me gjashtë pikë dhe goldallim plus pesë. Nigeria është e dyta me tri pikë, ndërsa në vendet tre e katër janë Islanda e Argjentina me nga një pikë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme