Nën udhëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, sot është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues të Projektit për Shëndetësinë Kosovare.
Projekti i Shëndetësisë Kosovare është projekt i Qeverisë së Kosovës, i financuar nga huamarrja e Bankës Botërore dhe synon përkrahjen e themelimit të shtyllave kryesore për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe forcimin e kujdesit parësor shëndetësor.
Ministri Ismaili njoftoi anëtarët e Komitetit për rikonstruktimin e projektit, i cili është bërë me qëllim të adaptimit të aktiviteteve, bazuar në kapacitetet absorbuese të Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Kemi bërë ç’është e mundur që ta kemi projektin në nivelin që është sot. Sot projekti është pjesë përbërëse e planeve dhe aktiviteteve të strukturave përbërëse të Ministrisë dhe Fondit të Sigurimeve”, ka thënë ministri Ismaili, duke shtuar: “Ne jemi në proces të finalizimit të rishikimit të Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore që do të mundësojnë funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke përfshirë këtu dhe skemën e barnave jashtë-spitalore”.
Pjesëmarrës në këtë takim në cilësinë e vëzhguesit ishte dhe përfaqësuesi i Bankës Botërore z. Diego Garrido Martín, Zyrtar i Lartë i Operacioneve/Zëvendës menaxher i Bankës Botërore në Kosovë. Ai tha se mbajtja e këtij takimi është shenjë e qartë e trendit pozitiv në të cilin do të shkojë projekti, duke theksuar punën e madhe të Ministrit Ismaili.
“Kemi parë ndryshime shumë të mëdha qëkur Ministri Ismaili ka marrë drejtimin e këtij sektori. Nuk kam parë asnjë ministër, i cili i ka kushtuar kaq shumë kohë projektit dhe ka qenë shumë i involvuar me detajet e tij. Këtë rikonstruktim e shohim si trajektore shumë pozitive, prandaj Banka Botërore qëndron gati për të ju mbështetur në çfarëdo mënyre që mundet. Sektori shëndetësor është çelësi për zhvillimin e Kosovës dhe do të jemi pranë jush”, ka thënë Garido.
Ndërkaq, Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur në prioritetet e saj edhe shëndetësinë dhe kjo ka ardhur si rezultat edhe i punës dhe angazhimeve maksimale të Ministrit Ismaili.
“Nëse bëjmë krahasime në mes të viteve, ka ndryshime të mëdha të gjendjes në shëndetësi. Prandaj, Ministria e Financave do të jetë afër në mbështetje të këtij sektori, të këtij projekti, i cili mund të jetë shembull i mirë i vënies së një bashkëpunimi edhe më të madh me Bankën Botërore”, ka thënë ai.
Koordinatorja e projektit, Dr. Fatime Arenliu – Qosaj, tha se ishte me shumë rëndësi që Komiteti Drejtues, në kuadër të detyrave të veta, u zotua që ta intensifikojnë tutje dinamikën e implementimit të projektit, në mënyrë që të arrihen të gjitha rezultatet e parapara me këtë projekt, pasi që, sipas saj, e gjithë kjo punë në fund ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Projekti i Shëndetësisë Kosovare është bërë efektiv në maj të vitit 2015 dhe pritet të përfundojë në tetor të vitit 2019.