Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se Kosova ka përmbyllur një proces të rëndësishëm demokratik. Sa i përket rezultatit, Ismaili ka treguar se PDK-ja ka më së shumti asamblistë në nivel vendi dhe më së shumti votë direkte.
Madje, ai ka thënë se edhe sa i përket numrit të votave, PDK-ja qëndron mirë.
“Ne kemi numrin më të madh të asamblistëve në nivel vendi, që tregon se PDK-ja ka përfaqësimin më të madh në nivel komunal. Kurse, sa i përket balotazhit, aty kanë vendosur pazaret politike, të cilat jo domosdoshmërisht tregojnë forcën e një partie”, ka thënë Ismaili në RTK.
Më tutje, Ismaili ka thënë se PDK-ja do të fitojë edhe në Prizren.
“Prizrenin do ta marrim. Kemi dhënë oferta shumë të mira. Në bazë të trendit të votave me kusht, PDK-ja do të fitojë edhe në Prizren”, ka thënë ai.Në fund, ai ka thënë se PDk nuk është e kënaqur me këtë rezultat, për çka do të bëjë edhe analizat te saj.
“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, kjo është e ditur. Kemi nevojë të bëjmë analizat tona. Ne po punojmë dhe do të kalojmë nëpër një reformë të cilën tashmë jemi duke e bërë”, ka thënë Ismaili.