Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në Takimin Rajonal të Guvernatorëve të organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë, anëtare e Eurosistemit, i mbajtur më 14–15 maj 2026 në Pula, Kroaci.
Takimi mblodhi guvernatorë të bankave qendrore nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, përfshirë guvernatorët e Kosovës, Sllovenisë, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, për të diskutuar zhvillimet kryesore që lidhen me stabilitetin financiar, dinamikat inflacionare, sektorin financiar, financat digjitale, sfidat rregullative dhe integrimin financiar.
Në kuadër të programit publik, Paneli i Guvernatorëve u mbajt më 15 maj 2026 në Fakultetin e Ekonomisë dhe Turizmit, me temën “Nga eksperimenti në infrastrukturë: Asetet digjitale në botën tradicionale financiare”, pas një fjalimi kryesor mbi monedhat digjitale dhe implikimet e tyre gjeopolitike.
Guvernatori Ismaili mori pjesë në panel së bashku me guvernatorë të bankave qendrore të rajonit, ku prezantoi zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në Kosovë dhe theksoi progresin e vazhdueshëm të agjendës reformuese të sektorit financiar të vendit.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili theksoi se, megjithëse perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj pasigurive që lidhen me tregjet globale të energjisë dhe zhvillimet gjeopolitike, inflacioni pritet të moderohet gradualisht në periudhën afatmesme. Ai nënvizoi se, në kontekstin e transformimit financiar digjital, bankat qendrore duhet të veprojnë si lehtësues parimorë, duke mbështetur inovacionin, ndërkohë që mbrojnë integritetin monetar, stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencën e drejtë.
Guvernatori Ismaili theksoi se transformimi digjital tashmë po riformëson shërbimet financiare dhe kërkon angazhim proaktiv, të bazuar në rrezik dhe largpamës nga rregullatorët, për të siguruar që inovacioni të zhvillohet brenda një kornize të shëndoshë, të besueshme dhe reziliente.
Ai gjithashtu prezantoi progresin e Kosovës në modernizimin e sistemit financiar dhe përafrimin me standardet evropiane. Në këtë kontekst, ai theksoi reformat kryesore, përfshirë progresin drejt integrimit në SEPA, zhvillimin e pagesave të menjëhershme përmes iniciativës TIPS Clone, si dhe krijimin e një kornize gjithëpërfshirëse rregullative për shërbimet e pagesave dhe kripto-asetet, të përafruar me praktikat e BE-së. Këto reforma pritet të kontribuojnë në përfshirje më të madhe financiare, rritje të konkurrencës dhe ulje të kostove të transaksioneve, veçanërisht për pagesat ndërkufitare dhe remitencat.
Duke trajtuar sfidat rregullative dhe rreziqet në zhvillim, Guvernatori Ismaili theksoi se, ndonëse inovacioni digjital po evoluon me shpejtësi, rreziqet themelore financiare si leva financiare, transparenca, ndërlidhshmëria dhe cenueshmëritë operacionale mbeten shumë relevante. Ai theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse, rritjes së reziliencës kibernetike dhe bashkëpunimit efektiv rajonal për të mbrojtur stabilitetin financiar në një sistem financiar gjithnjë e më digjital dhe të ndërlidhur.
Lidhur me monedhat digjitale të bankave qendrore dhe euron digjitale, Guvernatori Ismaili theksoi rolin e tyre si infrastrukturë publike monetare që mund të ndihmojë në ruajtjen e besimit në para në epokën digjitale. Ai vuri në dukje se euroja digjitale mund të mbështesë stabilitetin financiar, inovacionin dhe autonominë strategjike të Evropës në fushën e pagesave, ndërsa theksoi se Kosova, si ekonomi e euroizuar, po i ndjek nga afër këto zhvillime dhe po përgatitet për përputhshmëri me kornizat e ardhshme evropiane të pagesave.
Guvernatori Ismaili gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përafrimit me standardet evropiane, duke theksuar se integrimi më i thellë financiar mund të rrisë reziliencën, të përmirësojë qasjen në financa dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili falënderoi Bankën Qëndore të Kroacisë për organizimin e shkëlqyer të takimit dhe rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për avancimin e transformimit digjital, forcimin e stabilitetit financiar dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit financiar të Kosovës me standardet evropiane dhe objektivat e integrimit.
Ai gjithashtu shprehu vlerësimin për Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Qendore të Kroacisë, për lidershipin e tij dhe i përcolli urimet më të mira për suksese të mëtejshme në rolin e ardhshëm si Zëvendëspresident i Bankës Qendrore Evropiane, detyrë të cilën do ta marrë më 1 qershor 2026.