Avancimi i aparaturave dhe metodave mjekësore në shëndetësi po ec me hapa të mëdhenj. Tani, edhe Kosova ka nisur të zë hapin me këto shërbime, raporton Ekonomia Online.
Ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar 5 laparaskopa të rinj në vlerë 350 mijë euro.
Laparaskopi është një pajisje për intervenime kirurgjike me prerje minimale. Avantazhet e këtyre ndërhyrjeve janë të mëdha.
Zvogëlon shumë hemorragjinë (gjakderdhjen), shkurton kohën e qëndrimit në spital. Nga 1 javë apo më shumë në 24 orë. Zvogëlon dhimbjen, shkurton kohën e rehabilimit, shkurton rrezikun e infeksioneve etj.
Ismaili tha se e gjitha kjo po bëhet e mundur falë luftës kundër korrupsionit dhe ri-orientimit të fondeve.
“Duke luftuar korrupsionin po arrijmë që të bëjmë gjëra të mira në shëndetësi. Sot po përurojmë pajisjet e reja të cilat do të rrisin cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Ky modernizim i shërbimeve mjekësore do të shkoj në të mirë të pacientit dhe profesionistëve shëndetësorë”, ka thënë ministri Ismaili.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i ShSKUK-së Basri Sejdiu, tha këto nuk janë vetëm pajisje, por një funksionalizim i shumë shërbimeve në shëndetësinë kosovare.
“Në vazhdën e modernizimit të institucioneve tona publike. Kjo aparaturë tashmë edhe është montuar një në kirurgji abdominale dhe një në neurologji, ky mjet na ndihmon që ti ikim intervenimeve klasike në kirurgji, me prerje të mëdha”.
“Pra këto nuk mund ti shohim vetëm si pajisje, por si funksionalizim i shërbimeve shumë të rëndësishme në shëndetësinë kosovare”.
SHSKUK-ja ka pasur vetëm një Laparaskop të stërvjetëruar i cili ka pasur përdorim të limtuar.