Ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka paralajmëruar shkarkime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, lidhur me rastet e fundit të vdekjeve të dyshimta të pacientëve.
“Shkarkime do të ketë, në momentin e parë që do të marrim një lloj fakti, prove, që dikush ka pasur mbikëqyrje, ka pasur ndonjë dokument për ta kontrolluar, s’e ka kontrolluar, ose e ka bërë ndonjë lëshim”, ka thënë Ismaili në KTV.
“Kur je në pozicione publike, unë e kuptoj që ndonjëherë mund të thuash se kam bërë lëshim pa qëllim, mirëpo je në pozicion publik, merr përgjegjësi të lartë, nuk mund ta quash lëshim”, është shprehur Ismaili.
“E bën pa qëllim, do ta lëshosh vendin e punës. A përgjigjesh penalisht apo jo, ajo është çështje tjetër, por ti e lëshon vendin”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.
“Kjo punë ka adresë, do të ketë adresë, do të adresohen të gjitha, në mënyrë që të dihet kush kanë qenë të involuvar, në rast të një shkeljeje të tillë”, ka theksuar Ismaili.