Ismaili vizitoi Spitalin e Gjilanit, mund t’iu përgjigjemi kërkesave në shëndetësi

Gjilan | 12 Tet 2017 | 20:45 | Nga

“Nuk jemi një vend që nuk mund t’u japim përgjigje kërkesave në shëndetësi. Do të punojmë së bashku dhe do t’u japim përgjigje nevojave të qytetarëve tanë për shërbime më të mira shëndetësore”, tha ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Në kuadër të vizitave që është duke ua bërë institucioneve shëndetësore, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ku me profesionistët shëndetësorë dhe menaxhmentin e spitalit bisedoi për punën që bëhet në këtë spital, sfidat dhe përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Jemi këtu për të treguar mbështetjen tonë për Gjilanin dhe dëshiroj të ju falënderoj shumë për punën dhe sakrificën që bëni për qytetarët në këtë sektor shumë të rëndësishëm”, tha Ismaili, gjatë bashkëbisedimit me stafin e spitalit.

Ai foli edhe për angazhimet që do t’i këtë në krye të institucionit që menaxhon shëndetësinë kosovare dhe pritjet e tij.

“Ne do t’i përkthejmë pritjet në rritje të buxhetit, rritje të stafit, në investime kapitale dhe furnizim të mirë me barna e material shpenzues, me qëllimin parësor që t’u shërbejmë mirë dhe me kohë pacientëve”, theksoi Ismaili.

Ai tha se do të kërkojë shërbime më të mira për pacientët, transparencë në punë dhe llogaridhënie.

“Nuk jemi një vend që nuk mund t’u japim përgjigje kërkesave në shëndetësi. Do të punojmë së bashku dhe do t’u japim përgjigje nevojave të qytetarëve tanë për shërbime më të mira shëndetësore”, tha kreu i MSh-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme