Ismet Munishi: Me VAR dhe Fair-Play, titulli vjen në Gjilan

Prishtinë | 13 Dhj 2021 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Gjilani shkoi në pushim dimëror si lider i Superligës së Kosovës në futboll me një diferencë shumë të vogël pikësh prej Dritës e Ballkanit, por edhe prej Llapit. Duke folur për Gazetën Express, Ismet Munishi shpreh krenari që punon si trajner në Gjilan. Thotë se skuadra e tij i ka krejt premisat për ta fituar titullin, natyrisht duke shpresuar në “Fair-Play” dhe mbrojtje nga padrejtësitë e mundshme përmes sistemit VAR.

Tashmë është mbyllur pjesa e parë e kampionatit në Superligën e Kosovës, ndërsa Gjilani shkoi në pushim dimëror si lider i Superligës.

Sidoqoftë, pretendenti i madh për titull të kampionit do të dimërojë si lider me një epërsi shumë të vogël pikësh prej konkurrentëve tjerë. Drita pjesën e dytë të kampionatit do ta nis vetëm me një pikë më pak, kurse Ballkani ka ngelur veç me dy pikë larg Gjilanit. Disavantazh aq të madh nuk ka as Llapi me gjashtë pikë më pak kur dihet se stinori pranveror do të sjell edhe shumë ndeshje tjera për t’u zhvilluar në Superligë, shkruan Gazeta Express.   

Andaj, prijësi i Gjilanit drejt suksesit, trajneri Ismet Munishi, beson se pjesa e dytë e kampionatit do ta prodhojë një garë shumë të fortë, megjithëse ekipin e tij vazhdon ta konsideroj më të mirin dhe më të fortin.

“Natyrisht, të gjitha këto klubet e pjesës së epërme të tabelës ishin rivale të forta për ne. Drita, Ballkani, Llapi, Prishtina, më herët edhe Drenica. Ishte një garë shumë e fortë dhe kjo i bën mirë Superligës. Sigurisht, rivalitet dhe garë të fortë pres edhe gjatë pjesës së dytë. Shpresoj që krahas garës së fortë të kemi edhe dhe ‘Fair-Play’ sepse me këto të dyja bashkë nuk fiton veç skuadra që del kampione, por të gjitha klubet, e gjithë Superliga”, thotë Munishi në një bisedë me Gazetën Express.

Munishi beson edhe pas pjesës së dytë të kampionatit skuadra e tij do të dal e para dhe bashkërisht me Gjilanin do ta festojnë titullin e kampionit, trofe të cilin viteve të fundit e kërkojnë gjilanasit si klub, por edhe Munishi si trajner. “Unë jam optimist se Gjilani do të del kampion. I kemi të gjitha premisat. Në pjesën e dytë shpresoj se do të na ndihmojë shumë edhe sistemi VAR. Unë besoj në titull, siç beson i gjithë klubi i Gjilanit”, thotë trajneri më aktiv në Superligë tash e disa vjet.

Munishi e din se skuadra e tij do të vazhdojë të sfidohet nga Drita e Ballkani edhe gjatë pjesës së dytë të kampionatit. Por, konkurrent serioz e sheh edhe Llapin e Tahir Batatinës. Sa i përket Prishtinës, me të cilën Gjilani e ka krijuar një diferencë prej 11 pikësh, Munishi thotë se nuk e ka të pamundur rikthimin në garë, por kjo varet shumë se si do ta shfrytëzojë pushimin dimëror trajneri boshnjak i bardhekaltërve, Abdula Ibrakoviq.

“Llapi veç është në garë për titull e për Evropë dhe më pëlqen skuadra dhe loja e saj. Unë i shohë llapjanët si konkurrentë. Sa i përket Prishtinës, varet shumë se çfarë do të bëjë trajneri i mirë dhe i respektuar i saj, planet e tij, ndryshimet e tij. Mbetet të shihet”, thotë Munishi.  

Sa i përket pushimit dimëror, vet Munishi i ka planet e qarta për skuadrën e tij. “Gjatë afatit kalimtar do të bëjmë shumë pak transfere. Ndoshta do t’i angazhojmë një apo dy futbollistë sa për ta rritur konkurrencën në skuadër. Ka mundësi që lirohet ndonjë lojtar që mund të jetë i pakënaqur me neve ose që kërkon më shumë hap hapësirë për lojë diku tjetër. Kjo është normale. Por, nuk do të ketë ndryshime të mëdha apo të theksuara”, shprehet Munishi.

Munishi: Gjilani klub i organizuar dhe pa probleme financiare

Problemet organizative e mbi të gjitha ato financiare tashmë janë kthyer në një pjesë të madhe të klubeve elitare, përfshirë këtu edhe klubin më të madh në vend, Prishtinën, ish kampionin Feronikelin apo edhe Ballkanin e Llapin. Ndërsa, sa i përket Gjilanit, Munishi ndihet krenar që klubi i tij nuk ka këso probleme.

“Kemi punuar shumë, me përkushtim, për të arritur deri këtu. Me një organizim të përkryer të klubit, të cilit nuk i mungon asgjë, dhe me një përkushtim të skuadrës, kemi arritur deri këtu. Eshtë kënaqësi me qenë trajner në një klub çfarë është Gjilani nga çdo aspekt që e këqyr”, thotë Munishi për Express.

Ndërkohë, ai foli edhe për ecurinë e ekipit të tij drejt pushimit dimëror si lider elitar.

“Çdo skuadër e ka një kohë krize brenda një kampionatit. Edhe ne e kishim një krizë në fillim, por fatmirësisht e kryem herët dhe nga ndeshja derbi me Dritën e morëm veten dhe secilën herë ishim më të mirë se në herën e kaluar. Tani shkojmë në pushim dimëror si kampionë vjeshtor, një arsye për më shumë festë gjatë festave të fundvitit”, tha Munishi. Pjesa e dytë e kampionatit në Superligë do të fillojë në javën e parë të muajit shkurt. Klubet elitare do të pushojnë deri pas festës së Vitit të Ri dhe përgatitjeve pritet t’u kthehen nga 4 deri më 7 janar dhe do të kenë kohë rreth një muaj për përgatitje. 

Të ngjashme