“Supersportistët”, programi që synon rritjen e normave olimpike

Prishtinë | 02 Maj 2024 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka kishte uruar publikisht boksieren Donjeta Sadiku, e cila në mars siguroi normë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Edhe të enjten e vlerësoi arritje të madhe suksesin e Donjetës, ndërsa përmendi se në zonën që siguron normën olimpike janë edhe pesë nxënësit e tij. Brenda zonës për normë olimpike janë Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Pra, gjashtë sportistë gjithsej pritet ta përfaqësojnë Kosovën me normë olimpike në Paris. Lojërat Olimpike “Parisi 2024” do të mbahen prej 26 korrikut deri më 11 gusht.

Trajneri Kuka pret që Kosova të paraqitet në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” me më shumë norma nga sporte të ndryshme.

Nxënëset e tij kanë fituar tri medalje të arta olimpike. Natyrisht, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi fillimisht siguruan normat, më pas medaljet e arta në ngjarjen kryesore sportive.

“Po shpresoj ta rrisim numrin e sporteve me norma olimpike. A do të rritet numri dyfish, nuk e di. Është shumë e guximshme të flas tani për Lojërat Olimpike 2028. Por për 2032, ky grup i joni, në bashkëpunim me federatat, unë besoj se Lojërat Mesdhetare në Prishtinë dhe Olimpiada 2032, duke mos anashkaluar sportet dimërore, atje pas 4-8 vjetësh mund të shihen frytet e kësaj pune”, ka thënë Kuka.

Kuka bashkë me kampionen olimpike e vitit 2016 në Rio, Majlinda Kelmendi, kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe zëvendësministren e MKRS-së, Daulina Osmani, prezantuan të enjten programin “Supersportistët”. Kuka është udhëheqës i programit, në të cilin shteti do të investojë katër milionë euro për katër vitet e ardhshme për sportistët e rinj të sporteve olimpike.

Shpresat për normë në Olimpiadën e vitit 2028 Kuka dhe anëtarët e tjerë të Komisionit i kanë nga Taekwondo, atletika, noti, skijimi dhe shenjëtaria sportive.

Pjesëmarrëse në shpalosjen e programit ishte edhe Majlinda Kelmendi. Ajo ka përfunduar karrierën e mahnitshme si xhudiste në verën e vitit 2021. Menjëherë iu bashkua Driton Kukës në shtabin teknik.

Ajo beson se trajneri Kuka dhe anëtarët e tjerë pjesëmarrës në program, do të nxjerrin kampionë të rinj.

“Fati im më i madh në jetë ka qenë dhe është që e kam takuar Tonin dhe e kam pasur trajner. Ai ka pasur kushtet e mira financiarisht dhe ka qenë i gatshëm të investoj më mua. Sot shembull kemi trajnerë që ndoshta nuk kanë kushte, por kemi edhe që kanë kushte dhe nuk janë të gatshëm të investojnë si të jetë fëmija i tyre, gjë të cilën Toni e ka bërë me mua. Unë jam shumë e lumtur dhe e sigurt që nga ky program gjigant do të kemi sportistë dhe kampionë të mëdhenj”, ka thënë Kelmendi.

Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka bindjen se Kosova do të shkojë në Los Angeles me numër më të madh të sportistëve me normë të fituar.

“Përmes një procesi të kujdesshëm për të cilin do të punojmë me një komision profesional, do të bëhet përzgjedhja e tyre që do ta marrin epitetin e ekipit prej 20 sportistët apo supersportistët nga tetë sporte, të cilat ne si KOK do t’i kemi sytë dhe fokusin në Lojërat Olimpike 2028, por padyshim edhe në lojërat mesdhetare 2030”, është shprehur Krasniqi.

Zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, beson se programi 12-vjeçar do ta ketë efektin e vet.

“Synim ka rezultatet në Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, Lojërat Mesdhetare 2030 të cilat do të zhvillohen në Kosovë dhe padyshim është motiv shtesë për gjithë sportistët, federatat dhe t’i sjellim Kosovës sa më shumë rezultate si dhe Lojërat Olimpike të vitit 2032. Po ashtu, programi parasheh edhe Lojërat Olimpike Dimërore të cilat përfshihen gjatë këtij afati 12-vjeçar”, ka thënë Osmani.

Lojërat Olimpike Dimërore mbahen nga 6 deri më 22 shkurt të vitit 2026. Kosova është larg suksesit në sportin dimëror.

Të ngjashme