Italia arreston tre persona për aksidentin me teleferik, e dinin se frerët emergjentë s’punojnë

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Tre persona janë arrestuar në Itali për aksidentin e së dielës me teleferik në një zonë malore, me ç’rast 14 njerëz mbetën të vdekur.

Hetuesit thanë se frerët emergjentë ishin nxjerrë nga funksioni dhe se për këtë kanë qenë të vetëdijshëm tre pjesëtarë të kompanisë që operon me këto mjete transporti.

Sipas një zyrtari lokal të transportit, dështimi i frenave ka bërë që teleferiku të lëvizte me shpejtësi prej mbi 100 kilometrash në orë në kohën kur kablloja u këput, shkruan BBC.

Në mesin e të arrestuarve janë pronari i kompanisë, drejtori dhe shefi i operacioneve, i cili e menaxhonte teleferikun. Prokurorët po i hetojnë këta tre të dyshuar për vrasje të pavullnetshme dhe neglizhencë.

“Tre të ndaluarit ishin në dijeni për dështimin e sistemit për frenim emergjent që disa javë”, citohet të ketë thënë prokurorja Olimpia Bossi për agjencinë e lajmeve “Efe”.

Një zyrtar tha se të dyshuarit kanë pranuar se i kanë çaktivizuar frerët emergjentë pas një problemi në teleferik, të cilin punëtorët nuk kishin arritur që ta rregullonin.

Në momentin e aksidentit, në teleferik ndodheshin pesë familje, përfshirë dy fëmijë që mbetën të vdekur. I vetmi i mbijetuar, djaloshi 5-vjeçar, Eitan Biran, ka filluar të zgjohet nga koma, ndonëse ende është në gjendje kritike, sipas një zyrtari shëndetësor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme