Italia zvogëlon parlamentin për të kursyer 1 miliard euro

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti italian ka miratuar zvogëlimin e numrit të përfaqësuesve në të dy dhomat e parlamentit me më shumë se një të tretën.

Dhoma e Ulët ka miratuar ligjin për të ulur numrin e deputetëve nga 630 në 400 dhe të senatorëve nga 315 në 200.

Kjo reformë ishte një ndër premtimet kryesore të lëvizjes populiste 5 Yjet, partia kryesore e qeverisë italiane.

Ata thonë se kjo lëvizje do të bëjë që të kursehen nga buxheti i shtetit italian miliona euro në rroga dhe shpenzime të ndryshme.

Ndërsa kritikët thonë se lëvizja do të dobësojë demokracinë dhe rrisë influencën e lobistëve.

“U kry! Premtimi u mbajt”, tha Lëvizja 5 Yjet në një postim në rrjetet sociale pa votimit të martën. Partia tha se vetëm me këtë lëvizje do të kursehen 1 miliard euro në 10 vitet e ardhshme.

Sipas përllogaritjeve, kostoja e një deputeti në buxhet përllogaritet në 230 000 dollarë, ndërsa një senator 249 600 dollarë. Ligji pritet të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2023.

Të ngjashme