Prishtina zyrtare ka marrë edhe një konfirmim se pa plotësimin e dy kushteve të mbetura nuk mund të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo qëndron në raportin e përbashkët të prioritete të politikës së jashtme dhe të sigurisë, të cilin e mbështetën ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian.
Në raportin e përpiluar nga shefja e diplomacisë evropiane, Frederika Mogerinit, përmendet se ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi si dhe dëshmitë konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kushte të cilat duhet të plotësohen para vendimit mbi lëvizjen e lirë.
Në pjesën që i kushtohet Kosovë, konstatohet se opozita ka humbur unitetin e dikurshëm. Ndër rreziqet e këtij viti, raporti identifikon polarizimin e theksuar si potencial për përsëritje të dhunës nga ana e opozitës.
Ndër prioritete e politikës së përbashkët të jashtme dhe sigurisë, identifikohet normalizimi i raporteve në mes të Kosovës e Serbisë.
Aty theksohet së është i nevojshëm vullneti i mirë në këtë proces, ndërsa paralajmërohet vazhdimi i dialogut në nivelin më të lartë politik.
Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog, identifikohen si faktor kryesor në avancimin e mëtejshëm drejt strukturave evropiane.
Në këtë rrafsh, përpos përsëritjes së kërkesës për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, nga Serbia kërkohet që të ketë qëndrim konstruktiv me të gjithë fqinjët dhe të angazhohet pozitivisht në nismat rajonale.