Avokati Granit Vokshi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është i interesuar që ta integrojë Kosovën me këtë nivel të lartë të korrupsionit.
Duke iu referuar luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si kritere për liberalizimin e vizave, Vokshi vlerëson se pa rezultate konkrete, Kosova do të vazhdojë të mbetet i vetmi vend i izoluar, duke u pamundësuar qytetarëve që të lëvizin lirshëm në shtete e zonës Schengen.
“Bashkimit Evropian është e natyrshme që e kërkon luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si kriter, ngase nuk ka asnjë leverdi apo llogari që ti bashkëngjitet një shtet i cili ka nivel të lartë të korrupsionit, sepse mjaft ata kanë pasur problem me shtete të caktuara të cilat janë të shquara për nivel të lartë të korrupsionit. Në rastin e Kosovës kjo nuk ndodh për arsye se nuk është ndonjë interes i BE-së që ta integroj edhe Kosovën, kjo shihet me veprimet e BE-së duke filluar nga liberalizimi i vizave ku ne jemi vendi i vetëm që nuk iu kanë liberalizuar vizat”, ka thënë ai.
Ai konsideron se mënyra se si po luftohet korrupsioni në Kosovë është e destinuar të dështoj. Ai ka thënë se trendi aktual i luftimit të korrupsionit në Kosovë është në një stad primitiv. Luftën kundër krimit e korrupsionit ai e krahason me vendet afrikane.
“Si një vështrim i përgjithshëm mund të themi se luftimi i korrupsionit në trajtën çfarë është duke ndodhur tani unë konsideroj sado që po duket mjaft e vrazhdë të thuhet, është i destinuar që të dështoj. Trendi aktual i luftimit të korrupsionit është më shumë në një stad primitiv, më shumë i ngjan formës se si luftohet kjo dukuri në vendet e Afrikës, sesa që i ngjanë luftimit të korrupsionit në vendet e zhvilluara apo në vendet në zhvillim të cilat njihen si vende të cilat e kanë marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit. Është fatkeqësi të thuhet se në Kosovë edhe lufta e korrupsionit po mendoj modeli me të cilin po luftohet më shumë është preokupuar me formën sesa me përmbajtjen”, ka thënë ai.
Vokshi më tej ka shtuar se numri i aktakuzave që ka ngritur prokuroria nuk është i vogël, por sipas tij nuk shihet ndonjë seriozitet nga ana e prokurorisë për tu marr seriozisht me këto raste, ku ndodh që shumë shpesh aktakuzat mbështeten tek provat të papranueshme, raporton Ekonomia Online.
“…nuk jemi keq për nga numri por sigurisht se jemi keq për nga përmbajtja. Nëse shikohet përmbajtja duke filluar për nga hetimet, në shumicën e rasteve hetimet nuk janë zhvilluar deri në pikën e fundit për ti zbuluar të gjitha elementet apo kemi raste kur aktakuzat mbështeten tek prova të papranueshme. Kemi rastet kur vërtet i gjithë hetimi ka përfunduar mirëpo të gjitha faktet dhe provat dërgojnë në një përfundim të logjikshëm se vërtet personi nuk e ka kryer veprën penale, por prokuroria prapë se prapë duke dashur të largoj përgjegjësinë nga vetja e ngritë aktakuzën mirëpo në këtë formë po shkelen të drejtat elementare të njeriut”, ka vlerësuar ai.
Avokati Vokshi është skeptik se sistemi prokurorial dhe gjyqësor mund të ndryshohet për një kohë të shkurtë, por shpresën e ka tek individë të caktuar.