Jakup Krasniqi: Luftuam vetëm për jetën, lirinë e drejtësinë

Prishtinë | 18 Shk 2026 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se në Hagë po qëndrojnë padrejtësisht dhe se akuzat e prokurorisë kundër tyre deh UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se ai nuk është personi i cili përshkruhet në dosjet e ZPS-së.

“Akuzat e Prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra në të gjithë Federatën Jugosllave brenda një dekade të vetme. Nuk besoj që kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie, e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbrojnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve; duhet të qëndrojë mbi provat e besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësitë e këtij rasti janë të shkruara në vetë aktakuzën. Mua më atribuohen role, autoritet dhe përgjegjësi që nuk i kam pasur kurrë. Kjo nuk ishte çështje dallimi në interpretimin e fakteve; ishte shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e Prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve që erdhën këtu dhe patën guximin të thonë për atë se kush isha dhe kush nuk isha. Ata nuk erdhën për të mbrojtur mua, por për faktet dhe realitetin tonë historik. Dëshmitarët e tyre konfirmuan realitetin e thjeshtë: unë nuk zotëroja ushtrinë, komandën apo funksionet që më atribuohen në këtë rast. Kur e vërteta thuhet thjesht, ajo nuk ka nevojë për zbukurime”, tha ai.

Krasniqi po ashtu tha se gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin. Pa ndërhyrje dhe mbështetje ndërkombëtare, liria nuk do të ekzistonte, por pa rezistencën tonë fisnike nuk do të ishte arritur kurrë.”, nënvizoi ai.

Ai tha se populli shqiptar kurrë nuk planifikoi shkatërrim, por liri e pavarësi. Në fund të fjalisë së tij, ai kërkoi drejtësi.

“Populli ynë kurrë nuk planifikoi shkatërrim apo torturë. Ne kërkonim jetë në liri dhe pavarësi, asgjë më shumë e asgjë më pak. Sot populli ynë jeton në liri. Nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vet historia do të dënojë. Qëndroj para jush ashtu si kam qëndruar gjatë gjithë jetës sime, i përgjegjshëm ndaj së vërtetës dhe i pa frikësuar prej saj. Ia kushtova jetën time bindjes se njerëzit e meritojnë lirinë. Nëse kjo bindje gjykohet si krim, atëherë historia vetë do t’i japë verdiktin e saj pasi kjo gjykatë të ketë folur. Ju kërkoj të gjykoni secilën provë me durim dhe pa paragjykim, dhe nuk do të gjeni ndonjë ndërmarrje kriminale, por një histori njerëzore të formësuar nga shpresa dhe domosdoshmëria, nga besimi në fitore dhe demokraci. Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejt këtu, atëherë drejtësia jo vetëm që do të më shërbejë mua, por do të nderojë parimin që krijoi këtë gjykatë.  Këtu po e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi”, tha ai.

Të ngjashme