Historiani dhe ish-kryetar i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, promovoi sot librin e tij “Reflektime Demokratike”, që është një përmbledhje e periudhave të ndryshme të përjetuara nga vetë autori.
Autori Jakup Krasniqi nuk foli shumë për librin, por vetëm e sugjeroi atë si një udhërrëfyes për ata që duan të hyjnë në jetën politike.
“Ky libër do t’i shërbejë atij që sapo ka hyrë në politikë, atij që është dhe atij që mendon të hyjë”, tha ai.
“Gati pak herë e ndiej veten të lumtur për atë që them. Realiteti është i tillë dhe duhet t’i përgjigjem… Këto vitet e fundit kanë qenë goxha të vështira; shpeshherë jam hamendur, të shkruaj apo të mos shkruaj… Por në fund të fundit kjo është politika”, u shpreh ai.
Botuesi i këtij libri, Abdullah Zeneli, tha se kishte insistuar që ky libër të botohej më shpejt për shkak të vlerës që ka. Ndërkaq, paralajmëroi se gjatë vitit 2018 lexuesi do të ketë në duar dhe dy libra të tjerë nga Krasniqi.
Ndërsa studiuesi letrar, Adem Gashi, librin e quajti “Reflektim për reflektimin”, si titull i dytë i mundshëm. “Jakupin e ka pensionuar mosha, por ai nuk e ka lënë as politikën, as librin”.
“Fletën e parë të këtij libri e nis me fjalët: ‘Po kam besuar’, shtoi Gashi.
Bilall Sherifi, bashkëpartiak i Krasniqit në partinë Nisma, e vlerësoi lart figurën e ish-kryetarit të Kuvendit.
Sherifi tha se Krasniqi bën pjesë në kategorinë e njerëzve që duhet merren model.
“Një njeri që i ka dalë Zot vendit në kohët më të vështira duhet të merret model nga të rinjtë”, u shpreh ai.
“Jakup Krasniqi bën pjesë të njerëzit që nuk bën kompromis me parimet e veta. Ne duhet ta ndjekim rrugën siç e ka ndjekur ai pavarësisht vështirësive dhe pengesave i ka qëndruar besnik parimeve të veta”, theksoi Sherifi.
Bashkim Musliu, profesor, tha se libri që sot po promovohet është një “reflektim demokratik” me peshë të madhe. “Autori trajton tema që kanë të bëjë me Kosovën, flet edhe për privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe tregon që ishte kundër privatizimit të PTK-së”, tha Musliu.
Në promovimin e librit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” merrnin pjesë dhe kryetari i Nismës dhe zëvendësministër i Kosovës, Fatmir Limaj; ministra, deputetë e kolegë të Krasniqit.